
Mbahet moduli i radhës me temën “Organizimi i ngjarjeve të mëdha sportive”
Në kuadër të edicionit të gjashtë të kursit të avancuar për menaxhimin sportiv (ASMC 6), për dy ditë me radhë u zhvillua moduli i radhës me temën “Organizimi i ngjarjeve të mëdha sportive”.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka njoftuar se ky modul trajtoi rëndësinë dhe specifikat e planifikimit, menaxhimit dhe realizimit të ngjarjeve sportive të nivelit të lartë, duke ndarë praktika dhe përvoja të çmuara për mënyrën se si ato kontribuojnë në zhvillimin e sportit dhe promovimin e vlerave olimpike.
Ligjërues ishin: Ibër Alaj drejtori i programit ASMC 6, Besim Hasani, ish-president i KOK-ut, tashmë president nderi dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, Sasha Popovski.
Pjesëmarrësit, që vijnë nga federatat sportive, patën mundësinë të diskutojnë sfidat dhe mundësitë që sjell organizimi i ngjarjeve të mëdha, duke shkëmbyer ide për qasje inovative dhe mënyra për të rritur ndikimin pozitiv në komunitet.
Moduli u zhvillua me organizimin e Akademisë Olimpike të Kosovës, e cila vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme e edukimit dhe ngritjes profesionale në fushën e sportit.