Mbahet tryezë diskutimi për raportimin profesional të gazetarëve në situata krize

30 nëntor 2023 | 15:04

Raportimi i medieve në situata kriza dhe siguria e gazetarëve ishin në fokus të tryezës së diskutimit, e cila u mbajt të enjten në Prishtinë, organizuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Gazetarë të medieve në gjuhën shqipe dhe serbe diskutuan për sfidat gjatë raportimit, por edhe për respektimin e kodeve të etikës.

Saranda Ramaj nga Koha foli për rrezikun nga qasja senzacionale në raportim.

Ajo tha, po ashtu, se gazetarët nuk duhet të bëhen zëdhënës të institucioneve dhe duhet të raportojnë pa emocione.

Më e rëndësishmja, sipas saj, duhet të jetë vërtetësia e informacionit. Ramaj rrëfeu edhe përvojën e saj të raportimit nga lufta në Ukrainë.

Genc Godanci nga televizoni T7 foli për sfidat e raportimit nga trazirat dhe kriza në veri të Kosovës.

Mungesën e pajisjeve të punës dhe barrierën gjuhësore ai i përmendi si probleme me të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit.

Maja Ficoviq nga Radio Kosovska Mitrovica veç tjerash u fokusua në rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të viktimave, duke mos ua publikuar identitetin e fotografitë.

Sipas saj, verifikimi i fakteve para se ato të publikohen është jashtëzakonisht i rëndësishëm në të tilla situata.

Remzie Shahini-Hoxhaj, ligjëruese në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, foli për balancimin e raportimit në situate kriza dhe vështirësitë që i hasin gazetarët, si dhe respektimin e kodeve të etikës.

Ndërkaq Labinot Leposhtica nga zyra ligjore e BIRN Kosova përmendi nevojën që gazetarët të kenë njohuri për obligimet dhe përgjegjësitë e tyre gjatë raportimit, si dhe pajisjen e tyre me mjete mbrojtëse dhe mjete të punës kur raportojnë në situata krize.

Ai i përmendi trazirat e marsit të vitit 2004 si rast në të cilin mediet kanë ndikuar negativisht, duke mos raportuar me kujdes dhe në mënyrë profesionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Shkup të Maqedonisë së Veriut të enjten ka nisur…