Mbaresë Gutaj synon ulësen në asamblenë komunale në Prizren, këto janë tri zotimet e saj

09 tetor 2021 | 23:24

Mbaresë Gutaj është kandidate për asambliste e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren.

Ajo mban numrin 39 në listën e LDK-së për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Prizren.

Mbaresë Gutaj ka treguar arsyen e kandidimit për asamblenë komunale në Prizren.

“Quhem Mbaresë Gutaj, jo rastësisht quhem e tillë, quhem sepse jam vajza e tetë e babait tim Esat dhe nënës Sabrije të cilët më shtyn të jem pjesë e këtij rrugëtimi dhe të shfaq aftësitë të cilat gjatë këtyre viteve të jetës sime m’i mësoi shkolla, edukimi dhe puna në Avokati që zhvilloj tashmë e mbi pesë vite. Jam edukuar që të respektojë ligjin, për këtë kam përfunduar dhe shkollimin, të respektoj qytetarët ngase këtë e kam kulturë familjare. Jam këtu për të kërkuar votën tuaj që t’ju përfaqësoj me nder në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Secila mbështetje e juaja më jep më shumë përgjegjësi që të punoj për të përmirësuar dhe realizuar kërkesat e juaja të shkojnë në vendin e duhur, e jo të mbeten vetëm fjalë”, ka thënë Gutaj.

Ajo thotë se i është bashkangjitur LDK-së në rrugëtimin e fitores më 17 tetor.

Mbaresë Gutaj u ka premtuar qytetarëve të Prizrenit se do të jetë zëri i tyre në asamblenë komunale.

“Kërkoj besimin tuaj që të bëhem zë i fuqishëm, me premtimin se do të jem kuvendare e zëshme kundër parregullsive për realizimin e kërkesave të qytetarëve të komunës. Jam pjesë e fushatës së bashku me kandidatët e tjerë dhe kryetarin Anton Quni duke vizituar çdo cep të qytetit për të parë parregullsitë të cilat i ka lënë pushteti aktual dhe për të cilat unë si kërkuese e votës do të bëj të pamundurën që këto ankesa të drejtohen në vendin e duhur. Kam besim se pikërisht unë si femër kam guxim, dije dhe përkushtim të mjaftueshëm për të marrë parasysh kërkesat e qytetarëve të mi”, është shprehur ajo.

Ajo ka thënë se ka tri prioritete për të cilat do të angazhohet nëse merr besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në asamblenë komunale.

“1. Legalizimi i pronave, 2. Përmirësimi i punëve të administratës dhe 3. Rregullimi i shkresave procedurale të procedurave komunale. Në mënyrë që të ndërrojmë situatën aktuale duhet të angazhohemi për këto çështje dhe për këtë kërkojë votën tuaj. Si bashkëvendëse e juaj unë mbaj numrin 39 në listën e kandidatëve për kuvendar në Komunën e Prizrenit”, ka thënë Mbaresë Gutaj, kandidate për asamblenë komunale në Prizren.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një plaçkitje me armë zjarri ka ndodhur gjatë natës së…