Mbetet në fuqi masa e paraburgimit ndaj 30 të arrestuarve në rastin “Karaçeva”

08 tetor 2020 | 14:42

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e avokatit mbrojtës kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji ndaj 30 të pandehurve në rastin “Karaçeva”.

Gjykata Themelore e Gjilanit më 20 shtator ka marrë vendim që të pandehurit F.L. dhe 29 tjerëve t’u caktohet masa e paraburgimit prej një muaji, saktësisht deri më datën 17-18 tetor. Gjykata e Apelit ka vendosur që kjo masë të mbetet në fuqi.

“Gjykata e Apelit vlerësoi se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat po dyshohen, ka bazë ligjore, për caktimin e kësaj mase, ngase ekzistojnë arsye të forta për të besuar, se me gjetjen e tyre në liri, ata do të mund të ndikojnë në prova apo dëshmitarë dhe këtë formë, të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale, ose mund ta përsërisin veprën penale. Gjykata i ka shqyrtuar konform ligjit edhe masat tjera të cilat i parasheh Kodi i Procedurës Penale, por ka konstatuar se ato nuk janë të mjaftueshme për zbatimin me sukses të procedurës penale”, thuhet nga Gjykata e Apelit.

Sipas prokurorisë, i pandehuri F.L. po dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’ dhe ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ nga Kodit Penal i Republikës së Kosovës (KPRK). Të pandehurit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M.., Z.A. D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S, F.S., Sh.S., E.K., F.S., V.S. po dyshohen për veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të KPRK-së. Ndërsa, të pandehurit Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., për veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të KPRK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i AAK-së, Haxhi Shala, sot është intervistuar nga Gjykata…