
Mbeturinat, Rama: Qytetarët s’do të penalizohen për shkak të kalkulimeve politike të askujt, nga e hëna e rikthejmë një shërbim të denjë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar përmes një postimi lidhur me situatën e krijuar nga ndërprerja e shërbimeve të ndërmarrjes publike “Pastrimi”, duke e cilësuar këtë gjendje si kulmin e papërgjegjësisë institucionale dhe një praktikë të përsëritur të shantazhit.
Sipas Ramës, ndërprerja e shërbimeve për pastrimin e qytetit nuk është asgjë tjetër përveç një veprimi të qëllimshëm politik, që dëmton qytetarët për përfitime të ngushta.
“Po shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet alternative që kemi në dispozicion për të menaxhuar situatën me mbeturinat, e cila është shkaktuar nga ndërprerja e shërbimeve të Ndërmarrjes ‘Pastrimi’. Ky është kulmi i papërgjegjësisë institucionale dhe i një praktike të përsëritur të shantazhit”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë se, përkundër investimit të miliona eurove në këtë ndërmarrje, shërbimi ka qenë “i paqëndrueshëm” dhe se sipas tij, “është përdorur si instrument shantazhi për interesa të ngushta”.
Ai ka thënë se nuk do të lejojë që sitauta e krijuar të penaizoj qytetarët.
“Përkundër miliona eurove të investuara ndër vite, shërbimi i kësaj ndërmarrjeje ka qenë i paqëndrueshëm dhe, për fat të keq, është përdorur si instrument shantazhi për interesa të ngushta. Si kryetar i Prishtinës, ju siguroj që qytetarët nuk do të penalizohen për shkak të kalkulimeve politike të askujt. Gjatë gjithë vikendit, ekipet tona alternative kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në terren, 24 orë, për të rikthyer situatën nën kontroll. Që nga dita e hënë, shërbimi do të rikthehet në normalitet. Qytetarët e kryeqytetit as nuk duhet e as nuk meritojnë të përballen me situata të tilla që cënojnë shëndetin publik dhe dinjitetin qytetar, dhe ju siguroj që kjo nuk do të ndodhë më!”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se nuk do të jetë pjesë e pazareve politike apo takimeve të fshehta që synojnë interesa personale.
“Po ashtu, më lejoni të jem i qartë: si kryetar i Prishtinës, nuk kam ardhur për tu bërë pjesë e pazareve politike. Nuk marr pjesë në takime të fshehta ku negociohen interesa personale, e as nuk bëj koalicione për të bllokuar apo siguruar favore politike. Qëndrimi im është i pandryshueshëm – gjithmonë në interes të qytetarëve. Fatkeqësisht, logjika e bllokadës dhe shantazhit është bërë mjet i politikbërjes, duke përfshirë edhe ndërmarrjen ‘Pastrimi’, e cila ka ndërprerë një shërbim jetik për qytetin. Por më lejoni t’ju them me bindje: epoka e sabotimeve dhe e keqpërdorimit të parasë publike merr fund tani, përfundimisht. Nga e hëna, e rikthejmë një shërbim të denjë dhe të qëndrueshëm për qytetarët tanë – ashtu siç e meritojnë”, ka shkruar Rama.