Mbi 12 milionë vizitorë të huaj në Shqipëri në vitin 2025
Shqipëria ka shënuar një tjetër rekord në sektorin e turizmit gjatë vitit 2025, duke u vizituar nga mbi 12 milionë shtetas të huaj.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se shifra e këtij viti ka tejkaluar rezultatet e vitit paraprak.
Sipas Gonxhjas, ky zhvillim dëshmon rritjen e vazhdueshme të interesimit për Shqipërinë si destinacion turistik gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në sezonin veror.
Ai vlerësoi se diversiteti i ofertës turistike – nga turizmi kulturor, natyror e kulinar, deri te ai sportiv – ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë sukses. “Me mbylljen e vitit 2025, Shqipëria thyen rekordin e një viti më parë, duke kapërcyer shifrën e 12 milionë vizitorëve me pasaportë të huaj! Një rezultat që konfirmon konsolidimin e vendit si një destinacion turistik gjithëvjetor, me interes të qëndrueshëm përtej sezonit veror dhe me oferta të larmishme në turizëm kulturor, natyror, kulinar, sportiv dhe jo vetëm, duke forcuar pozicionin e saj në hartën ndërkombëtare të turizmi”, ka thënë ai.
Autoritetet vlerësojnë se ky trend pozitiv e forcon më tej pozicionin e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit, duke e konsoliduar vendin si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët e huaj.



