Mbi 15 milionë euro janë të hyrat e KPMM-së në gjashtëmujorin e parë të këtij viti

20 korrik 2020 | 11:02

Drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi, ka thënë se, pavarësisht prej vështirësive globale të shkaktuar nga pandemia Covid-19, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka vazhduar punën në harmoni me planin e Qeverisë së Kosovës dhe për periudhën janar-qershor, është shënuar rënie e të hyrave vetëm 2 për qind.

“Në të dhënat që i tregon raporti i periudhës janar-qershor 2019 në krahasim me periudhën e njëjtë të këtij viti, përkatësisht janar-qershor 2020, ka pasur rënie të të hyrave vetëm për 2 për qind. Në total të hyrat gjatë muajve janar-qershor e kapin shifrën e 15 milionë e dyqind e 48 mijë e 96 euro e 16 cent, kurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak të hyrat ishin 15 milionë e 772 e 970 euro e 95 cent, pra kemi një rënie të ulët në të hyra, vetëm 2 për qind”, ka thënë Krasniqi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka folur edhe për vdekjen e dy punëtorëve të “Trepçës”.

Ai ka thënë se lëndimi me fatalitet ka ndodhur pikërisht nga mosvlerësimi i drejtë i situatës para aksidentit nga ana e stafit tekniko-mbikëqyrës për potencialin e rrezikut nga shembja.

“Raporti i komisionit hetues është përfunduar me të nxjerra nga rekomandimet e veta lidhur me aksidentin dhe ka konstatuar se ‘lëndimi me fatalitet ka ndodhur pikërisht nga mosvlerësimi i drejtë i situatës para aksidentit nga ana e stafit tekniko-mbikëqyrës për potencialin e rrezikut nga shembja’. Për më tepër rreth këtij rasti raporti do t’u përgjigjet edhe organeve të tjera hetuese dhe institucionale për ta konstatuar vlerësimin e komisionit hetues të KPMM-së”, është shprehur ai.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, sa ka ndikuar pandemia në sektorin minerar dhe cilat janë të hyrat e realizuara në periudhën mars-qershor dhe si qëndron raporti me periudhën e njëjtë të vitit paraprak?
Krasniqi: Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në harmoni me vendimet e Qeverisë së Kosovës ka arritur ta menaxhojë situatën e krijuar në vend, duke përfunduar me sukses të gjitha punët e parapara si institucion, si dhe ka bërë ruajtjen e kontinuitetit të aktiviteteve minerare në vend. Në të dhënat që i tregon raporti i periudhës janar-qershor 2019 në krahasim me periudhën e njëjtë të këtij viti, përkatësisht janar-qershor 2020 ka pasur rënie të të hyrave vetëm për 2 për qind. Në total të hyrat gjatë muajve janar-qershor e kapin shifrën e 15 milionë e dyqind e 48 mijë e 96 euro e 16 cent, kurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak të hyrat ishin 15 milionë e 772 e 970 euro e 95 cent, pra kemi një rënie të ulët në të hyra, vetëm 2 për qind.

“Epoka e re”: Si është duke ecur procesi i prodhimit në minierat më të mëdha si “Trepça” Sh. A., KEK-u, “Newco Ferronikeli Complex” LLC dhe “SharrCem”?
Krasniqi: Nga minierat e Trepçës, “Trepça” Sh. A., sasia e prodhuar e xehes së plumbit dhe zinkut për tremujorin e parë të vitit 2020 është rreth 12 për qind më i lartë se në tremujorin e parë të vitit (TM1) 2019. Në minierat e KEK-ut, sasia e prodhuar e linjitit për tremujorin e parë të 2020-s është rreth 2 për qind më e lartë se në tremujorin e parë të vitit 2019. Minierat e “Newco Ferronikeli Complex” LLC, sasia e prodhuar e xehes së Ni-Co për tremujorin e parë 2020 është 100 për qind më e lartë se tremujorin e parë të vitit 2019, në (TM1) 2019 nuk ka pasur fare prodhim. Në minierën “Sharr Cem” Sh. P. K. sasia e prodhuar e mergelës për TM1 – 2020 është rreth 49 për qind më e vogël se TM1-2019.

“Epoka ere”: Në çfarë kushtesh punohet në këto miniera dhe sa janë të siguruar punëtorët pasi muajin që lamë pas humbën jetën dy minatorë të “Trepçës”?
Krasniqi: Kushtet e minierës janë në përputhshmëri me sistemin e shfrytëzimit nëntokësor dhe parametrat e lejuar minerar. Kjo nuk do të thotë se këto kushte janë të sigurta me faktin se kemi të bëjmë me punime nëntokësore dhe se rrezikshmëria e punës është shumë më madhe se në minierat sipërfaqësore. Të papriturat nga shembjet në disa raste mund të jenë të paparashikuara dhe jo të analizuara shkencërisht, por me faktin se vdekshmëria ka qenë e vogël nuk mund të themi se ka rrezikshmëri të lartë duke referuar statistikat nga paslufta deri në aksidentin e fundit 2020 (kemi zero vdekshmëri).

“Epoka e re”: Po ashtu, KMPP-ja kishte formuar një komision nga Inspektorati i Minierave. A është shqiptuar ndonjë dënim apo kush duhet ta bartë përgjegjësinë për këtë aksident?
Krasniqi: Raporti i komisionit hetues është përfunduar me të nxjerra nga rekomandimet e veta lidhur me aksidentin dhe ka konstatuar se “lëndimi me fatalitet ka ndodhur pikërisht nga mosvlerësimi i drejtë i situatës para aksidentit nga ana e stafit tekniko-mbikëqyrës për potencialin e rrezikut nga shembja”. Për më tepër rreth këtij rasti raporti do t’u përgjigjet edhe organeve të tjera hetuese dhe institucionale për ta konstatuar vlerësimin e komisionit hetues të KPMM-së.

“Epoka e re”: Sa i përket inspektimit nga ana e KPMM-së, a keni hasur në mospërfillje rregullash gjatë periudhës mars-qershor dhe a është shqiptuar ndonjë gjobë?
Krasniqi: Në bazë të të dhënave që kemi në KPMM, gjatë periudhës mars-qershor janë lëshuar 14 vendime për gjoba, në bazë të raporteve nga terreni për shkak të veprimeve të jashtëligjshme.

“Epoka e re”: Sa minime janë realizuar në periudhën mars-qershor dhe si është raporti me vitin e kaluar?
Krasniqi: Minimet masive të realizuara në periudhën mars-qershor 2020 janë 159. Raporti me vitin e kaluar në periudhën mars-qershor 2019 është 178 minime masive. Diferenca është 19 minime masive më pak se në vitin 2019.

“Epoka e re”: Po ashtu, na flisni edhe për numrin e licencave të hulumtimit, shfrytëzimit, si dhe lejeve për aktivitete të veçanta?
Krasniqi: Deri më tani, sa i përket vitit 2020, licencat dhe lejet e lëshuara janë: hulumtime 26, për shfrytëzim 21, si dhe aktivitete të veçanta 19. Pra, totali është 76 sosh. Ndërsa në total numri i licencave aktive është: Hulumtim 162 sosh, shfrytëzim 196, aktivitete të veçanta 305.

“Epoka e re”: Sa operatorë ilegalë të resurseve natyrore keni evidentuar?
Krasniqi: Janë gjithsejtë njëzet e pesë operatorë ilegalë të identifikuar për vitin 2020.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sukses historik për Shtetin e Emirateve të Bashkuara Arabe…