Mbi 33 000 viktima nga tërmetet, OKB-ja pret që numri të dyfishohet

12 shkurt 2023 | 16:06

Kombet e Bashkuara dënuan dështimin për të ndihmuar rajonet e Siris, teksa paralajmëruan se numri i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri, që ka arritur në mbi 33.000 mund të dyfishohet.

“Deri më tani, kemi parë dështim për të ndihmuar banorët në veriperëndim të Sirisë. Ata me të drejtë ndihen të braktisur. Ata po presin ndihmën ndërkombëtare që ende nuk ka ardhur”, tha shefi për ndihmë i OKB-së, Martin Griffiths.

Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë një bebe shtatëmuajsh dhe një vajzë adoleshente nga rrënojat të dielën, teksa Griffiths ka vizituar Turqinë dhe më pas Sirinë më 12 shkurt.

Dhjetëra mijëra punëtorë të shpëtimit po vazhdojnë operacionet për të gjetur të mbijetuar, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë rrënduar gjendjen e miliona personave që tani kanë nevojë për ndihmë.

Për shkaqe sigurie, disa operacione të ndihmës janë pezulluar dhe dhjetëra persona janë arrestuar për shkak të plaçkitjeve apo tentimit për të mashtruar viktimat pas tërmeteve në Turqi, ka raportuar media shtetërore.

Por, në gjithë këtë situatë të rënduar, ende po shpëtohen persona nga rrënojat, raporton REL.

“A ka botë këtu?”, pyeti 70-vjeçarja Menekse Tabak kur u nxor nga rrënojat në qytetin jugor të Kahramanmarashit – epiqendra e tërmetit prej 7.8 ballësh që goditi vendin të hënën.

Një bebe shtatëmuajsh, i quajtur Hamza, po ashtu u shpëtua në Hataj pas më shumë se 140 orë pas tërmeteve, ndërkaq Esma Sultan, 13 vjeçe, po ashtu u shpëtua në Gaziantep, raportoi media shtetërore.

Familjarët janë në garë kundër kohës për të gjetur trupat e pajetë të më dashurve të tyre.

“Ne kemi dëgjuar [autoritetet] se nuk do të mbajnë më gjatë trupat pas një periudhe të caktuar, ata kanë thënë se do t’i varrosin”, tha Tuba Yolcu nga Kahramanmarash.

Griffiths nga OKB, gjatë vizitës në Kahramanmarash tha se ai pret që numri i viktimave “të dyfishohet, apo edhe më shumë”.

“Shumë shpejt, ekipet e kërkim-shpëtimit do t’i lirojnë rrugën agjencive humanitare, detyra e të cilëve gjatë muajve të ardhshëm është që të përkujdesen për këtë numër kaq të madh të personave të prekur”, tha ai përmes një video të postuar në Twitter.

OKB-ja ka paralajmëruar se të paktën 870.000 persona kanë nevojë urgjente për shujta të ngrohta në mbarë Turqinë dhe Sirinë. Vetëm në Siri, deri në 5.3 milionë persona mund të mbesin të pastrehë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tirana e transformuar në 103-vjetorin e shpalljes Kryeqyteti i Shqipërisë…