Mbi 800 serbë të interesuar të jenë pjesë e Policisë së Kosovës

20 gusht 2018 | 09:38

Mbi 800 serbë të Kosovës kanë shprehur interesim që të bëhen e pjesë e Policisë së Kosovës.

Nga ky numër, 432 prej tyre që kanë konkurruar janë nga 4 komunat veriore të vendit, ndërsa prin Mitrovica e Veriut, e pasuar nga Leposaviqi.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.

“Jashtëzakonisht më shumë se sa kemi pritur, më shumë se sa kemi planifikuar, si proces edhe na ka shkaktuar këto vonesa, për shkak të konkurrencës dhe interesimit tepër të madh të atyre që dëshirojnë të veshin uniformën e zyrtarëve policorë”, ka thënë Gashi, raporton “RTK”.

Ndërsa analisti serb, Ljubomir Stanojkoviq, ka thënë se ky numër nuk është i rastësishëm.

“Shikoni, jemi dëshmitarë të faktit se në njërën anë është shtuar numri i aplikimeve për të punuar në Policinë e Kosovës, e në anën tjetër në mënyrë masive po i lëshojnë Forcat e Sigurisë së Kosovës. Këtu ka një arsye, nuk është veç rastësisht kjo, se pse në situatën në të cilën ndodhet Kosova, është vështirë të gjendet punë, edhe nëse punon në sektorin privat nuk e ke të sigurt se sa do zgjasë ai vend pune, prandaj të gjithë po përpiqen që të punojnë në sektorin publik. E njëri prej vendeve të punës, që është më së shumti i kërkuar, që është më atraktiv dhe interesant dhe sigurisht edhe më i pranuar për të rinjtë, e sidomos të komunitetit serb, është puna në Policinë e Kosovës”, tha Stanojkoiq.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Serbe Progresive Demokratike, Nenad Rashiq, ka theksuar se presioni për largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, ka ardhur vetëm për t’i zëvendësuar ata me serbët të cilët vijnë nga komunat veriore.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brazili do të dërgojë trupa dhe forca të shtuara policore…