Mbi gjysmë milioni euro për një Kuvend që nuk e ka nisur punën

08 korrik 2025 | 11:01

Pa kryer asnjë punë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe asistentët e tyre po i kushtojnë buxhetit të shtetit qindra mijëra euro. Tashmë dyzet e tri përpjekje për të konstituar Kuvendin, kanë dështuar. Për disa deputetë të rinj, kjo situatë është shumë larg pritshmërive të tyre.

Nezir Krakit, bllokimi i konstituimit të Kuvendit po ia vështirëson punën dhe angazhimin si ligjvënës.

Ai është zgjedhur për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit si deputet i partisë Guxo – pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën, që ka fituar shumicën e votave.

Mandatin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se e ka marrë për të kontribuar në jetën politike dhe parlamentare si ligjvënës, “e jo kot së koti”.

Kraki dhe deputetët tjerë të zgjedhur – 120 gjithsej marrin paga sikur Kuvendi të ishte funksional.

Që nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, ata kanë përfituar dy paga e gjysmë, edhe pse shumica e 43 vazhdimeve kanë zgjatur vetëm disa minuta, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe mënyrën e votimit.

Deri tani, 103 deputetë kanë marrë dy paga e gjysmë, ndërsa 17 të tjerë, që kanë mandatin e deputetit, por vazhdojnë të mbajnë funksione në qeverinë në detyrë të Kosovës, janë paguar nga ekzekutivi.

Kostoja totale për pagat e deputetëve, nga 15 prilli deri më 30 qershor, ka arritur në 478.692 euro.

Përveç pagave të tyre, buxheti i shtetit mbulon edhe pagat e zyrtarëve të lartë personalë të deputetëve, që ndryshe njihen si asistentë.

“A e keni pritur ju, për shembull, që konstituimi i Kuvendit do të zgjasë gjashtë muaj?”

“Radio Evropa e Lirë” ka pyetur në Kuvendin e Kosovës se sa asistentë janë të angazhuar aktualisht dhe çfarë vlere kapin pagat e tyre, por që nuk nga fundi i javës së kaluar, nuk ka marrë përgjigje.

Në qershor, mediat në Kosovë raportuan se deputetët e zgjedhur kanë angazhuar deri në atë kohë 74 asistentë personalë.

Njëra prej tyre, deputetja Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ky angazhim është bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.

Sipas saj, asistentët janë emëruar me pritjen se Kuvendi do të konstituohej shpejt dhe se do të nisnin menjëherë punën e tyre parlamentare.

“A e keni pritur ju, për shembull, që konstituimi i Kuvendit do të zgjasë gjashtë muaj? Askush nuk e ka pritur. Duke menduar që si parti më e madhe, (Lëvizja vetëvendosje) do ta konstituojë Kuvendin shumë shpejt, ne i jemi përmbajtur rregullores së Kuvendit. Tash ne nuk mund t’u themi (asistentëve) të shkojnë në shtëpi se nuk është konstituuar Kuvendi. Nuk mund të bëjmë as shkelje të rregullores dhe as të ligjit”, ka thënë Kadrijaj.

E pyetur se cili është roli i asistentit të saj në këtë situatë, Kadrijaj është përgjigjur: “Nëpër debate në televizione më nevojiten për shembull: statistika, data, materiale për aferat korruptive… më ndihmojnë. U them: më duhet kjo ose kjo, dhe më ndihmojnë”.

Kadrijaj ka thënë se nuk e di se sa është paga e asistentit të saj. Por, sipas Rregullores për shtesa mbi pagën bazë për deputetë dhe për klasifikimin e pagës për stafin mbështetës politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, asistenti i deputetit ka pagë bazë me koeficient 5.8 dhe përfiton shtesë prej 30 për qind të kësaj page.

Kjo i bie që një asistent, në qershor për shembull, ka marrë pagë bazë prej 638 eurosh, ndërsa me shtesat e parashikuara në rregullore, kjo shumë ka shkuar në rreth 900 euro.

“Paga të pamerituara”

Deputeti Kraki ka thënë se ai dhe kolegët e tij kanë të drejtë ligjore në pagën e tyre, por thekson se ajo nuk e bën të ndihet mirë, derisa nuk e ushtron detyrën siç duhet. “Është një shpenzim edhe i energjisë fizike prej nesh, por edhe në mënyrë financiare nga ana e Kuvendit, si kot së koti”, ka thënë ai për “Radion Evropa e Lirë”.

Pa dhënë shumë detaje, Kraki ka thënë se ka bërë përpjekje t’i bindë kolegët që të gjejnë zgjidhje dhe të tejkalojnë bllokadën që po e pengon konstituimin e Kuvendit, por pa sukses.

Si Kraki, edhe Kosovare Murseli është zgjedhur për herë të parë deputete në zgjedhjet e 9 shkurtit, por ajo vjen nga tabori tjetër – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që aktualisht është në opozitë.

Ajo ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se pamundësia për të ushtruar rolin e deputetes në mënyrë efektive, i ka shkaktuar ndjenjë të thellë zhgënjimi.

Gjithashtu, ka treguar se për periudhën 15 prill – 30 qershor ka marrë dy paga e gjysmë si deputete. “Në kushte normale, paga e një deputeti, e them me sinqeritetin më të madh, është përgjegjësi dhe jo privilegj – personalisht për mua. Mirëpo, në këto rrethana, kur Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk po na lejohet ta ushtrojmë mandatin që na e ka dhënë populli, kjo pagë është e pamerituar. Unë, personalisht, nuk ndihem mirë”, ka thënë Murseli.

“Paga edhe me rritje”

Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP në Prishtinë, ka thënë se pagat e deputetëve nuk mund të kontestohen ligjërisht.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se kostoja e tyre është e lartë dhe moralisht e pajustifikueshme, pasi deputetët nuk kanë bërë përpjekje serioze për të tejkaluar bllokadën në konstituimin e Kuvendit. “… sidomos kur disa nga ta nuk kanë hezituar të angazhojnë edhe asistentë, të cilët nuk e kryejnë asnjë funksion apo ndihmë për ta për momentin, marrë parasysh që vetë Kuvendi është i bllokuar dhe nuk është duke proceduar me leximin apo përgatitjen për trajtimin e ndonjë projektligji të ri”, ka thënë Hasaj.

E, kostoja e shpenzimeve mujore për pagat e deputetëve dhe të asistentëve, nga korriku pritet të jetë edhe më e lartë.

Kjo për shkak se Qeveria e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, ka vendosur që pagat në sektorin publik të rriten për 55 euro nga janari i vitit 2025 dhe për 55 euro të tjera nga korriku. “Ndonëse nuk janë duke kryer ndonjë punë – nuk mund të them funksion – në Kuvend, tash e marrin edhe pagën me rritje. Rritja e pagës në ekonomi duhet të pasqyrojë rritjen e produktivitetit, por në këtë rast nuk ndërlidhet…”, ka thënë Hasaj.

Në buxhetin e shtetit, nga i cili paguhen deputetët dhe asistentët e tyre, kontribuojnë edhe qytetarët me pagesën e taksave.

Në disa anketa që ka zhvilluar “REL”-i, qytetarët kanë thënë se duan zgjidhje përmes dialogut politik.

Nesër (e mërkurë) do të tentohet për herë të 43 të konstituohet legjislatura e nëntë parlamentare.

Kujtojmë se partitë ish-opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe janë duke refuzuar të propozojnë anëtarë për komisionin që do të organizonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke e konsideruar këtë proces si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Në votim të hapur, ata e kanë kundërshtuar disa herë radhazi emërimin e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë pozitë.

Vetëvendosje, e cila ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, këmbëngul se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.

Përndryshe, nga 26 qershori, deputetët i obligon edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ta konstituuar Kuvendin në një afat prej 30 ditësh, por, deri më tash, nuk duket se ka vullnet politik për ta zbatuar atë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jamal Musiala është operuar me sukses pas e ka thyer…