Mbi mendësinë eskiliane dhe atë kanunore shqiptare

17 shtator 2025 | 08:29

Nga: Ndriçim Kulla

Janë pikërisht dy rite, ai i mortit në radhë të parë dhe ai i dasmës, si ndihmës i tij, ata që kanë qenë pikërisht prindërit e tragjedisë, prindër të mohuar padrejtësisht. Një udhëtim në gadishullin Ballkanik dhe prania në një rit mortor e pastaj në një dasmë, me shumë gjasë do t’i jepnin Nietzsches atë shkreptimë mendimi për lindjen e tragjedisë më shumë se hulumtimet e teksteve antike. Këto dy rite, që janë kaq të ndryshëm e njëkohësisht aq të ngjashëm me njëri-tjetrin, kanë qenë institucioni kulturor publik kryesor i popujve ballkanas për mijëvjeçarë të tërë. E duke qenë kremtimet më tronditëse dhe më të përhapurat, këto rituale qenë njëherësh edhe shkolla e parë e edukimit estetik. Në asnjë rajon të botës, përveç Ballkanit, ato nuk janë më afër e më të ngjashme me shfaqjet teatrale.

Por, ngjashmëria e tyre ka qenë veçanërisht e fuqishme te grekët dhe shqiptarët. Për këta të fundit, një ritual mortor, nisur nga lloji i ceremonisë që njihet, nuk është gjë tjetër veçse një dasmë e kthyer me kokë poshtë. Madje, studiuesi gjerman Maximilian Lambertz tregon se ende dhe sot rituali i dasmës te shqiptarët është mbeturinë e skenarit të moçëm grek të rrëmbimit të gruas. Mënyra e ardhjes së krushqve, mënyra e pritjes, cilësimet për nusen dhe dhëndrin (ajo një thëllëzë viktimë, kurse ai një skifter rrëmbyes), të shtënat me armë, ndërrimi i rrugës së kthimit, rregullat e lëvizjes së karvanit të dasmorëve gjatë ecjes, argumenton ai, nuk janë veçse fazat e një rrëmbimi, me të vetmin ndryshim se tani historia nuk ndodh, por “luhet”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka folur mbi…