Mbi njëmijë fëmijë vrapojnë për Ditën Olimpike në Prishtinë
Në një atmosferë festive dhe të mbushur me entuziazëm fëmijësh, sheshi i Prishtinës është shndërruar në arenën kryesore të festimeve për Ditën Olimpike. Mbi njëmijë nxënës nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit janë mbledhur për të shënuar këtë datë të rëndësishme globale të sportit, e cila është festuar më herët se data zyrtare e 23 qershorit, me qëllim që nxënësit të mund të merrnin pjesë para përfundimit të vitit shkollor.
Të pranishëm në këtë ngjarje masive ishin figura të larta të sportit, duke përfshirë presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi dhe drejtorin e Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci.
Gjatë fjalimit para të pranishmëve, presidenti i Komitetit Olimpik kujtoi rëndësinë e lidhjes mes sportit dhe arsimit, duke garantuar se aktiviteti fizik ndihmon në rritjen e përqendrimit në mësime dhe në zhvillimin e një jete të shëndetshme.
“Unë ju thërras të gjithë juve fëmijëve të dashur, shfrytëzojeni sa më shumë jetën tuaj të mirë me sport dhe me mësim. Këto të dyja lidhen shumë ngushtë njëra me tjetrën. Sporti ju ndihmon të keni trurin më të përqendruar në mësimet e juaja. Merruni me sport! Sepse kur merreni me sport, jeni më të aftë edhe për të mësuar, ju premtoj këtë. Pra merruni me sport që të jeni më të shëndetshëm, jeni më të fokusuar, dhe jeni më të mirë për popullin tonë, për vendin tonë, për shtetin tonë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Gramit Geci, ka dhënë një mesazh për gjeneratat e reja, duke kërkuar nga ta që të largohen nga ekranet e telefonave dhe t’i përkushtohen aktiviteteve sportive.
“Sot për juve kam vetëm një këshillë: merruni me aktivitete sportive, largohuni nga telefonat dhe rrituni të shëndetshëm ashtu siç tha edhe presidenti më parë. Andaj ju lus të jeni të mirë, të shëndetshëm, merruni me aktivitete sportive dhe e ardhmja juaj është e ndritshme”, ka thënë Geci.



