Mbi shpatullat e gjigandëve – E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e studimeve ballkanike
“Nëse kam arritur të shoh më larg ka ndohdur sepse kam qëndruar mbi shpatullat e gjigandëve.”
Isak Njuton, 1675.
Organizimi i Ditës së Studimeve Ballkanike, si një veprimtari akademike në një kampus universitar në SHBA ka qenë një synim i hershëm. Duke parë dinamikën e këtyre fushave dhe të studimeve humane në tërësi, një event i tillë më dukej sa i natyrshëm, aq edhe i domosdoshëm. Në 17 tetor 2025, studiues dhe akademikë nga tri kontinente u mblodhën në kampusin e Universitetit të Misisipit në Oksford, me ftesa individuale për të risjellë në vëmendje mundësitë e pamata, sfidat, dhe potencialin e studimeve ballkanike. Ky ishte i pari simpozium i kësaj natyre në UM, një universitet i njohur për reputacionin dhe orientimin e tij kërkimor-shkencor, dhe një ndër të paktat veprimtari akademike për studimet ballkanike në universitetet e SHBA-së aktualisht. Simpoziumi u realizua falë mbështetjes së Departamentit të Gjuhëve Moderne, Kolegjit të Arteve Liberale dhe Asociacionit të Studimeve të Europës Juglindore në SHBA (SEESA).
Prezantuesit dhe diskutuesit në sesionet e posaçme erdhën nga tri kontinente dhe nga universitete si University of Chicago, University of Łodz, Ohio State University, University of Sr. Andrews, University of Regina, Georgia Gwinnett College, Rider University, Recep Tayyip Erdoğan University, University of Mississippi, Hokkaido University etj. Studiuesit prezantuan në fushat e gjuhësisë, letërsisë, studimeve të filmit, historisë, gjeografisë kulturore dhe humane etj.
Pjesë qendrore e simpoziumit ishin sesionet e posaçme për revistën Balkanistica dhe për historinë e Southeast European Studies Association (SEESA). Dr. Donald L. Dyer, kryeredaktori shkencor i revistës Balkanistica dhe zëvendësdekan i College of Liberal Arts solli për audiencën statistikat dhe historinë mbresëlënëse të kësaj reviste të sponsorizuar nga SEESA, si një ndër organet më kryesore dhe më jetëgjata në fushën e studimeve ballkanike në botë. Prej 29 vitesh, ajo botohet nga Universiteti i Misisipit ndërsa për mbi 50 vjet ka botuar kontributet e studiuesve nga gjithë bota në fushat e gjuhësisë, historisë, letërsisë, studimeve politike, studimeve kulturore etj.
Si presidente aktuale e SEESA-s, pata privilegjin dhe nderin të flas për kontributet e këtij asociacioni në studimet ballkanike. Ndërsa Balkanistica është ajo për çka SEESA njihet gjerësisht, ky organizëm është edhe mbështetës i serisë prestigjioze të leksioneve Kenneth E. Naylor Memorial Lecture Series in South Slavic Linguistics, të cilat janë themeluar nga Dr. Brian D. Joseph (The Ohio State University) në 1994, në kujtim të Dr. Kenneth E. Naylor (1937-1992), akademikut të shquar me kontribute të pangatërrueshme në studimin e gjuhëve sllave në SHBA.
Një tjetër kontribut i SEESA-s është seria e Biennial Conferences on Balkan and South Slavic Languages, Literatures and Folklore, që organizohet prej 52 vjetësh në universitete të ndryshme të SHBA-së. Bienalet e viteve 2004 dhe 2024 u organizuan nga Universiteti i Misisisipit ndërsa ajo e vitit 2026 do të organizohet për të parën herë nga University of Newcastle në Australi në 2026.
Një kontribut po kaq i rëndësishëm në mbështetje të studimeve ballkanike janë SEESA Harrison Travel Grants. Çdo vit, SEESA akordon deri në 4 grante për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit për studentët master dhe doktorantë, të cilët prezantojnë në konferenca apo simpoziume shkencore në botë mbi tematika të lidhura me studimet ballkanike. Ndër vite, fituesit kanë qenë doktorantë edhe në studimet e gjuhës shqipe, letërsisë, historisë dhe etnologjisë nga universitete të ndryshme në botë, përfshi edhe doktorantë nga Kosova.
Më shumë se pesë dekada histori janë diçka me të cilën jo shumë institucione, organe apo projekte akademike në fushat tona mund të krenohen. Nëse Balkanistica dhe SEESA ia kanë dalë deri më sot, kjo është pasojë e punës madhore që kane kryer për vite me radhë akademikë brilantë dhe të apasionuar, emrat e të cilëve sot janë standarde vlerësimi në studimet ballkanike. Arritjet dhe perspektivat tona të sotme janë të mundura sepse, thënë me fjalët e Isak Njutonit, ne qëndrojmë mbi shpatullat e këtyre gjigandëve.
Disa prej tyre kanë shkuar tashmë në përjetësi dhe Dita e Studimeve Ballkanike ishte një mundësi e çmuar për të nderuar dhe risjellë në vëmendje kontributin dhe punën e jashtëzakonshme që bënë në këto pesë dekada. Të tjerë gjigandë janë ende mes nesh si presidentë të SEESA-s ndër vite, si kontribues të shquar të revistës Balkanistica dhe është privilegj të kesh mundësi të nderosh punën e tyre duke i patur përballë. Të tjerë studiues sapo kanë nisur udhëtimin e tyre, dhe kanë nevojë të shohin konkretisht se këto 54 vite nuk jane 54 vite mitesh dhe synimesh të vagullta, por 54 vite historie, bashkëpunimi real akademik dhe arritjesh faktike.
Studimet albanologjike, u prezantuan në simpozium me punime në fushat e gjuhësisë, letërsisë, dhe historisë duke sjellë edhe trajtime ndërdisiplinare dhe krahasuese në kontekstin ballkanik. Marek Majer dhe Plator Gashi (University of Łodz) prezantuan temën The 18th-Century Albanian Bacmeister’sche Sprachprobe (Manuscript Berol. Ms. Slav. Oct. 3)., duke analizuar tekstin në gjuhën shqipe që gjendet në Manuskriptin Berol. Ms. Slav. Oct. 3, të Prussian State Library në Berlin e që aktualisht është pjesë e Jagiellonian Library in Kraków. Manuskripti i përket fundit të shekullit të18-të dhe fillimit të shekullit të 19-të, dhe përmban tekste paralele të gjuhëve gjermane, kashubian dhe shqipe. Dokumentimi i tij lidhet me punën e studiuesit ruso-gjerman Hartwig L. Ch. Bacmeister (1730-1806). Analiza fonologjike, morfologjike dhe leksikore e tekstit tregon se kemi të bëjmë me një variant të toskërishtes juglindore, specifikisht të zonave të Korçës. Autorët trajtojnë mundësinë që teksti t’i atribuohet Konstantinos Tzechanis (Kostë Xhehani; 1740-1800) nga Voskopoja, i cili i ka siguruar informacione mbi shqipen gjuhëtarit të shquar Johann Thunmann (1746-1778). Tekstet në gjuhën kashubian nuk përbëjnë surprizë, por gjetja e një teksti shqip në Poloni që daton në fundin e shekullit të 18-të dhe fillimin e shekullit 19-të, sigurisht që po. Ndërsa ky tekst nuk njihet nga gjuhëtarët shqiptarë, prezantimi në fjalë do të ndiqet nga një botim i plotë i artikullit në Balkanistica 39 në pranverë të 2026.
Letërsia shqipe pati hapsirën e vet në simpozium përmes poezisë së Luljeta Lleshanakut. Prof. Asoc. Dr. Bavjola Shatro (University of Mississippi) referoi për poemën Ujë dhe karbon duke trajtuar mekanizmat retorikë të mbijetesës si përgjigje të ekzigjencës së kujtesës (në termat e retorikës) dhe nevojës për të kuptuar shkallën e humbjes që pësuan individi dhe shoqëria nën komunizëm. Prezantimi ndërthuri close reading me teoritë retorike në poezi, duke trajtuar aspektin etik dhe transformativ të tekstit. Po ashtu, receptimi dhe botëkuptimi individual dhe kolektiv për lirinë, shpresën, përgjegjësinë morale dhe dinjitetin njerëzor ishin pjesë e rëndësishme e analizës. Poezia paraqet një shembull të retorikës së mbijetesës duke evidentuar anën dëshmuese, dokumentare, performative dhe etike në një prej poemave më të rëndësishme të Lleshanakut. Interesi i audiencës u perqendrua tek perspektiva e poetes për mënyrën sesi mund të kuptojmë dhe ndërveprojmë me të shkuarën në kontekstin e dhunës dhe pas dhunës politike, si edhe çështjet e përkthimit dhe mënyrës sesi ndikojnë ato në receptimin e poezisë dhe në identifikimin e stilit poetik. Prezantimi është pjesë e një projekti të zgjeruar studimor mbi poezinë e Luljeta Lleshanakut, që do të botohet në SHBA në një vëllim studimor të posaçëm për studimet albanologjike.
E shkuara komuniste e Ballkanit ishte e pranishme në simpozium edhe përmes punës kërkimore me dosjet e shërbimeve informative nën diktaturë. I tillë ishte rasti i prezantimit të Dr. Corina Petrescu (University of Mississippi) e cila referoi mbi temën Fictionalized Facts in the Reports of the Romanian Secret Police. Dr. Petrescu foli për manualin e rekrutimeve të Shërbimit Sekret rumun, botuar në 1976 dhe për “rrjetin informativ” si mënyra kryesore e grumbullimit të informacionit nga agjentët e sigurimit. Hapja e dosjeve dha mundesinë për të parë përcjelljen e informatave mes Sigurimit dhe atyre që njihen si burime të parekrutuara. Këta të fundit janë individë që patën lidhje me Sigurimin për shkak të pozicionit të punës. Ata duhej të hartonin raporte të cilët kalonin domosdoshmërisht nga zyrat e Sigurimit.
Ky prezantim trajtoi rastin e Franz Auerbach, drejtuesit te Jewish State Theater (TES) në Bukuresht dhe mënyrën sesi një burim i rekrutuar mund të shfrytëzonte njohuritë e veta mbi atë ç’ka do të synonte të gjente Sigurimi në raportet në fjalë, në mënyrë që të përfitonte një sërë favoresh për institucionin që drejtonte. Auerbach ofroi në raporte fakte të fiksionalizuara për turin e teatrit në SHBA dhe në Kanada. Këto fakte të fiksionalizuara ishin përpunim i hollë i fakteve reale për t’i dhënë Sigurimit atë që dëshironte të lexonte – publicitet pozitiv për regjimin në Perëndim. Kjo i siguroi Auerbach-ut një sërë lëshimesh, të cilat ishin një ndihmesë e rëndësishme për institucionin që drejtonte.
Dr. Victor Friedman (University of Chicago dhe La Trobe Univiersity), Ballkanisti i Ballkanit/stëve siç kam patur rastin ta quaj në një shkrim botuar vite më parë me rastin e një botimi jubilar për të, trajtoi temën Balkan Phonologies: The Significance of Southwest Macedonia. Dr. Friedman prezantoi me detaje ato që ai i quan fonologjitë e Ballkanit më shumë sesa fonologjia e Ballkanit. Ai u perqendrua në hapsirën e jugperëndimit të Maqedonisë dhe sidomos në dialektin e zonës së Kosturit duke sjellë harta të hollësishme dialektore me specifikat përkatëse për këtë rajon dhe duke realizuar një trajtim krahasues që tërhoqi gjerësisht vëmendjen e audiencës
Temat nga gjuhësia vijuan me një tjetër trajtim krahasues në të cilin përfshihej edhe shqipja nga Dr. Daniel Collins (The Ohio State University). Dr. Collins trajtoi temën From ERIC Loan to Folk Etymology: Reflexes of Turkish Temennah ‘bow’in Balkan Slavic Dialects.
Dr. Valentina Iepuri (University of Mississippi) solli një tjetër prezantim në fushën e gjuhësisë dhe specifikisht në sociolinguistikë, duke folur për Linguistic Landscape of Contemporary Chișinău; A Reflection of Cultural Identity and Social Change. Ky prezantim merrej me statusin aktual të rumanishtes si gjuhë zyrtare dhe të rusishtes si gjuha e dikurshme e komunikimi ndëretnik. Dr. Iepuri sqaroi se rumanishtja aktualisht ka pozicion dominant në strukturën administrative dhe shoqërore të vendit ndërsa rusishtja ka një rënie sidomos në sektorin e edukimit. Gjuha ukrainase, gagauze dhe bullgarishtja, mbeten gjuhë me pozicion rajonal, ndërkohë që ka shtim të folësve të ukrainishtes si pasojë e emigrimit që zuri fill pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Në fushën e historisë prezantoi Mücahit Bektaş (Recep Taççip Erdoğan University) mbi temën The Treaty of Lausanne, që njihet gjerësisht për rolin themeltar në ndërtimin e Republikës së Turqisë. Prezantimi merrej me interpetimin e traktatit në kuadrin e trajektores historike komplekse të vendit që nga rënia e perandorisë e deri tek formimi i shtetit. Në fillim, mënyra sesi e interpretoi Turqia traktatin prodhoi politika shtrënguese, por reformat e lidhura me BE-në hapën drejtime të reja. Sfida e vazhdueshme është të kuptohet parimi i shtetësisë së barabartë dhe të pranohet fryma e traktatit si një kornizë për një Turqi demokratike, moderne dhe pluraliste.
Roger Conant (U.S. Capitol Visitor Center, Washington D.C.) prezantoi temën The Greek heroic ideal 1897-1945, duke u përqendruar në lëvizjen që kulmoi në 1922 me katastrofën e Azisë së Vogël, në Luftën Italo-Greke në vitet 1940-41, dhe në rezistencën guerrile pas pushtimit të vendit nga Aksi në Luftën e Dytë Botërore. Ai u përqendrua të tej në ngjarjet e periudhës së LIIB dhe në pasojat e tyre në popullsine greke, duke përfshirë vdekjen nga uria të 300,000 banorëve të Athinës në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1941-42.
Dr. Lucien Frary (Reider University) prezantoi punimin Five Monumental Moments in Modern Balkan History në të cilin paraqiti një sintezë të historisë moderne të Ballkanit përmes pesë datave me vlerë monumentale, të cilat rezonojnë ende sot në realitetet aktuale. Këto pesë data janë vitet 1453, 1821, 1878, 1914, dhe 1950. Ato hedhin dritë në procesin e shtetformimit, fesë, nacionalizmit, identitetit, marrëdhënieve ndërkombëtare, sinkretizmit kulturor etj.në Ballkan. Prezantimi i tij ishte gjithashtu, një mënyrë për të evidentuar rolin e jashtëzakonshëm të Balkanistica-s në trajtimin shkencor të këtyre dukurive komplekse në studimet ballkanike.
Dr. Ana Velitchkova, (University of Mississippi) referoi temën Surva Winter Carnivals, Civil Repair, and Nested Solidarity: Including Rurality into the Bulgarian, the European, and the Global Civil Spheres. Ky prezantim trajtonte karnavalet dimërore të Survas në Bullgari, si promovuese të solidaritetit universal dhe të përgjegjësisë civile në mjediset urbane e rurale. Surva festohet në zonën e Pernikut dhe është tashmë një festival ndërkombëtar me pjesëmarrës nga Bullgaria dhe Evropa. Dr. Velitchkova sqaroi se Surva karakterizohet nga rituale multisensoriale tipike të karnavaleve, ku kritika sociale është pjesë e natyrshme dhe domethënëse.
Trashëgimia kulturore ishte pjesë edhe e prezantimit të Dr. Georgeta Connor (Georgia Gwinnett College) Architectural Treasures of Medieval Orthodoxç in Bukovina Region: Masterpieces of Byzantine Art in North-Eastern Romania. Dr. Connor trajtoi rolin e manastireve në këtë rajon, të cilët njihen për arkitekturën e rrallë dhe si vendet ku ruhen manuskripte me vlerë, por edhe piktura, afreske dhe pjese të tjera të pasurisë shpirtërore te rajonit. Stili i tyre arkitekturor përfshin elemente gotike, bizantine dhe rajonale të njohura si stili moldav. Tetë nga këto manastire janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s që nga viti 1993: Arbore, Humor, Moldovita, Patrauti, Probota, Suceava, Sucevita, dhe Voronet. Trashëgimia kulturore orthodokse e Bukovinës rumune, shihet si pjesë domethënëse e studimeve mbi qytetërimin moldav.
Simpoziumi përfshiu edhe studimet mbi filmin përmes punës së studiueseve të njohura Dina Jordanova dhe Christina Stojanova.
Dr. Jordanova (St. Andrews University) referoi mbi temën Film Festivals in the Balkans. Aktualisht rezultojnë 30 festivale filmi që organizohen rregullisht ne Ballkan. Ajo trajtoi aspekte të evoluimit të festivaleve të filmit në rajon që nga vitet ’90, duke shtjelluar disa nga faktorët kryesorë dhe dinamikat përkatëse. Fokusi kryesor ishin tre festivale të rëndësishme në rajon: festivali i filmit në Sarajevë, (Sarajevo IFF), ai i Selanikut, (Thessaloniki IFF), dhe DokuFest (Prizren, Kosovë), duke sjellë, kështu, në vëmendjen e audiencës akademike këtë event kaq të rëndësishëm për kulturën shqiptare.
Dr. Christina Stojanova, Professor Emeritus në University of Regina, prezantoi temën Ethics and Excess in Radu Jude’s Kontinental ’25 and Dracula. Ajo trajtoi mënyrën si kinemaja aktuale rumune ndërthur shqyrtimin etik me saktësinë e formës në atë që në antologjinë e njohur The New Romanian Cinema (Edinburgh University Press, 2019, në bashkautorësi me D. Duma), studiuesja e emërton “ekzistencialimi realist”. Ajo analizoi veprat e Radu Jude-s Kontinental ’25 që qendërzohet në paralizën morale të jetës së përditshme, dhe Dracula që rimerr mitin rumun më të njohur përmes kolazhit intermedial dhe imazheve të gjeneruar me inteligjencë artificiale. Të dy filmat shtrojnë para audiencës të njëjtën pyetje: si e formësojnë sensin tonë të moralit historitë që tregojmë?
Me katër panelet, sesionet e posaçme dhe me seancat e diskutimit, ndërsa ishte gjithashtu live streaming përgjatë gjithë punimeve, Dita e Studimeve Ballkanike solli në kampusin universitar të UM shumë nga historia e Ballkanit dhe studimeve mbi të. Duke parë përgjigjen e menjëherëshme, interesin e akademikëve dhe doktorantëve nga shumë universitete, dhe suksesin e këtij eventi akademik ka arsye të mendohet se ky simposium është prolog i veprimtarive të ardhme për studimet ballkanike. Reflektimi për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e kësaj hapsire shumëplanëshe studimesh më risjell sërish ndërmend maksimën e Njutonit; ne mundemi dhe duhet të shohim më larg, sepse qëndrojmë mbi shpatullat e gjigandëve.
Prof. Assoc. Dr. Bavjola Shatro, University of Mississippi – Oxford, MS, tetor 2025.




