Mbledhja e Senatit: Tri profesoresha në Këshillin Drejtues të UP-së

01 korrik 2025 | 10:55

Në mbledhjen e Senatit është zgjedhur pesëshja e Këshillit Drejtues që do ta përfaqësojë Universitetin e Prishtinës në këtë organ shumë të rëndësishëm ekzekutiv e rregullues. Tri nga pesë të zgjedhurit janë gra.

Anëtarët e UP-së në këtë këshill do të jenë prof. Mimoza Ibrani, prof. Teuta Jashari-Kajtazi, prof. Arian Krasniqi, prof. Vjosa Fejza-Ademi dhe prof. Kurtesh Sherifi.

Në zgjedhje u votua për 16 kandidatë që sipas Komisionit zgjedhor të përbërë nga prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Kreshnike Dedushi-Hoti dhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, prof. Florian Miftari, i plotësonin kushtet për të qenë pjesë e Këshillit Drejtues.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, anëtare e Këshillit Drejtues u bë profesoresha Mimoza Ibrani, pasi mori më shumë se gjysmën e votave nga senatorët, gjithsejt 23, ndërsa raundi i dytë i votimit u zhvillua me 12 kandidatët më të votuar nga raundi i parë.

Katër anëtarët tjerë të Këshillit Drejtues nga personeli akademik i Universitetit të Prishtinës, u zgjodhën në raundin e tretë të votimeve, pasi në të dytin, asnjëri prej tyre nuk mori votat e mjaftueshme. Këtë herë votimi u bë për tetë më të votuarit nga raundi i dytë. Mandati i pesë të zgjedhurve do të zgjasë deri më 14 shtator 2028.

Thirrja për aplikim në këto pesë pozita ishte shpallur më 2 qershor, kurse ankesat eventuale për proceset e përzgjedhjes dhe votimit do të shqyrtohen mes 1 e 2 korrikut 2025.

Këshilli Drejtues, përveç pesë anëtarëve nga personeli akademik i UP-së, i ka edhe katër anëtarë që emërohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Inovacionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli televiziv, Khloe Kardashian, ka zbuluar së fundmi të gjitha…