Mblidhet Komisioni për Buxhet, synon miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje

02 dhjetor 2020 | 08:35

Komisioni për Buxhet dhe Transfere sot pritet ta votojë raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia Covid-19.

Po ky komision do ta shqyrtojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Javën e kaluar Projektligji, në mungesë të kuorumit, kishte dështuar të miratohet nga ky komision.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Projektligji do të votohet gjatë ditëve në vijim.

Hoti, të martën, në një konferencë për media, nuk ka dhënë një ditë të caktuar se kur do të votohet ky projektligj, por tha se janë duke i konkretizuar edhe disa gjëra sa i përket këtij projektligji.

“Projektligji për Rimëkëmbje do të votohet në ditët e ardhme. Nuk po them saktë kur, por jemi duke punuar e konkretizuar disa çështje. Edhe nëse kjo qeveri do të zgjasë edhe një javë, një muaj apo tri vjet siç e ka mandatin, do të jetë në krye të detyrës. Nuk ka qytetar që ka pasur nevojë për trajtim shëndetësor dhe ai trajtim nuk iu ka ofruar, pavarësisht kufizimeve që i kemi”, është shprehur Hoti.

Në fillim të muajit nëntor kishte dështuar të mbahej seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon te presidenti për shpallje. Ndërkaq, presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia Covid-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij projektligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë eurosh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mesjavë do të zhvillohen dy duelet e mbetura të…