Mbrojtja e Thaçit fillon marrjen në pyetje të ish-komandant Remit

14 korrik 2023 | 11:41

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon dëshminë e tij duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit.

Mustafa është dëshmitari i 13-të me radhë në këtë çështje gjyqësore dhe seancën e së premtes ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës Luka Misetic, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, mbrojtja e të akuzuarve ka paraqitur kohën që planifikon për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, ashtu që mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se nuk ka ndryshime në planifikim, mbrojtjes së Veselit i duhen rreth 2 orë, mbrojtjes së Selimit rreth 5 orë dhe mbrojtjes së Krasniqit rreth 4 orë.

Tutje, prokurorja speciale Clare Lawson deklaroi se mund të jetë e nevojshme që t’i bëjë edhe pyetje plotësuese dëshmitarit Mustafa dhe në këto rrethana pritet që dëshmia e tij të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

Ndryshe, në seancën e djeshme, ka përfunduar marrja në pyetje e dëshmitarit Mustafa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, konkretisht prokurores Clare Lawson dhe mbrojtësit të viktimave Simon Laws, pyetjet e të cilit janë bërë në sesion privat.

Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës dhe ka vazhduar në seancat e së mërkurës dhe të enjtes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia dhe Bjellorusia nuk do të marrin një ftesë zyrtare…