Mbrojtja e Thaçit i përgjigjet ZPS-së që kërkoi ‘të paralajmërohet’ avokati Pallaska

24 maj 2023 | 12:42

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe dhe Dastid Pallaska i janë përgjigjur  Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë pasi kjo e fundit ka lëshuar një thirrje për trupin gjykues që t’i japë një vërejtje apo paralajmërim Dastid Pallaskës për deklarimet që i ka bërë gjatë një interviste në Televizionin Publik të Kosovës (RTK).

Siç kishte pretenduar ZPS-ja, deklarimet e Pallaskës bien ndesh me Kodin e Sjelljes Profesionale për avokatët dhe prokurorët para Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Mbrojtja e Thaçit ka kërkuar nga trupi gjykues që të mos e pranojë një kërkesë të tillë të ZPS-së, duke thënë se kërkesa e tyre nuk arrin që të vërtetojë se deklarimet e Dastid Pallaskës kanë qenë shtrembëruese me qëllim apo me vetëdije.

Gjithashtu është thënë se një kërkesë e tillë e ZPS-së nuk është asgjë tjetër përveç se përpjekje për të kufizuar të drejtat themelore për lirinë e shprehjes.

Këtu mbrojtja ka cituar edhe nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që mund të aplikohet edhe në këtë rast përmes nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës, ku është thënë se nuk mund të kufizohen të drejtat e të akuzuarit dhe avokatit mbrojtës për shprehje në publik, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është jashtëzakonisht e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur një interes të rëndësishëm publik.

“Si përmbledhje, kërkesa e Prokurorisë Speciale nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të kufizuar të drejtat themelore për shprehjen e lirë. Mbrojtja pohon se, në pajtim me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (e aplikueshme në këtë rast përmes nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës), KSK-ja nuk mund t’i kufizojë të drejtat e të akuzuarit dhe avokatit mbrojtës në publik. shprehje, me përjashtim të rasteve tepër të nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur një tjetër interes të rëndësishëm publik. Kërkesa është shumë larg për të vërtetuar ndonjë keqinterpretim nga z. Pallaska, ose se deklaratat e z. Pallaska ishin mashtruese qëllimisht ose me vetëdije”, është thënë shkresës e mbrojtjes së Thaçit.

Pallaska në intervistën e tij në “RTK” kishte folur për atë se si Specialja ishte krijuar si rezultat i raportit të Dick Martyt dhe se pas themelimit të saj asnjë element i atij raporti nuk gjendet askund në aktakuza.

Gjithashtu, Pallaska kishte përmendur edhe terminologjinë “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” e përdorur nga Prokuroria Speciale. Pallaska në intervistë kishte thënë se ZPS-ja po e gjykon UÇK-në dhe jo individët. Kë deklarime të avokatit Pallaska nuk i kanë pëlqyer Prokurorisë Speciale të Hagës e cila i ka kërkuar trupit gjykues që t’i tërheq vërejtjen avokatit të Thaçit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka plotësuar dhe ndryshuar agjendën legjislative, duke…