
Mbyllen hetimet për Ilir Metën, avokati: Mali i akuzave ra poshtë
Prokurori Sotir Kllapi ka njoftuar për mbylljen e hetimeve ndaj ish-presidentit të Shqipërisë dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Avokati Kujtim Cakrani ishte i pranishëm si mbrojtës, ndërsa ish-presidenti Meta është transportuar nga 313 në ambientet e SPAK-ut.
Në deklaratën për mediet, pas seancës, avokati ka thënë se Meta ka bërë shpjegime për tri akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Nuk kishte asgjë të re. Mali i akuzave ra poshtë. Do të vazhdojmë me gjykim të zakonshëm”, ka thënë Cakrani.
Komunikimi i mbylljes së hetimeve duhet të procedohej të hënën e kaluar, por meqenëse avokati i Metës gjendej jashtë vendit është shtyrë për në fillim të kësaj jave.
Më herët, Metës i janë komunikuar në datë 27 maj akuzat, dhe po ashtu mbyllja e hetimeve i është deklaruar edhe Monika Kryemadhit, Pirro xhixhos, Ema Cokut dhe Fatime Kryemadhit.