Prokurori i ‘infiltruar’ në Qendrën e Paraburgimit: Avokati i Popullit në Hagë thotë se s’mund të ndërhyjë në punët e gjykatës

04 gusht 2025 | 15:12

Një prokuror i Prokurorisë së Specializuar në Hagë, para se të vishej me uniformën e prokurorit, kishte veshur atë të gardianit në Qendrën e Paraburgimit ku po mbahen udhëheqësit e UÇK-së.

John Devaney është vërejtur nga ish-presidenti Hashim Thaçi gjatë një seancë, ku si rezultat, për orë të tëra, Thaçi ka shprehur pakënaqësinë e tij për këtë situatë.

Kjo ka nxitur dilema për shkeljen e mundshme të të drejtave të njeriut, marrë parasysh faktin se Devaney, është në mesin e prokurorëve kryesorë në rastin e Thaçit për pengim të drejtësisë.

Por, as në këtë rast, Avokati i Popullit në Dhomat e Specializuara të Hagës, Pietro Spera, nuk e ka parë të arsyeshme të intervenojë.

Pas interesimit të gazetës “Nacionale”, Spera ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në vendimet që janë para gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara të Hagës.

“Gjykata është e angazhuar në këtë çështje dhe, si çështje ligjore, në përputhje me Rregullin 29(1) të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, unë nuk mund të ndërhyj në raste ose procedura të tjera gjyqësore para Dhomave të Specializuara, përveç në raste të vonesave të paarsyeshme në procedurë”, është thënë në përgjigjen e Avokatit të Popullit.

Historia e një “infiltrimi”

Në seancën e 27 marsit të vitit 2025, një prokuror i ri i Prokurorisë së Specializuar në Hagë është shfaqur për herën e parë në seancë. Aty, planifikohej të dëshmonte dëshmitari i fundit në rastin e krerëve të UÇK-së.

Pavarësisht se krerët e UÇK-së ishin në seancë me video-lidhje, me ta parë këtë prokuror në transmetim, Hashim Thaçi nuk është përmbajtur. Seanca ishte e mbyllur, dhe për orë të tëra ka pasur diskutime të ashpra.

Hashim Thaçi kishte alarmuar se personi që ishte ulur në anën e Prokurorisë së Hagës, kishte qenë punëtor në Qendrën e Paraburgimit ku mbahen ish-krerët e UÇK-së. I kishte ruajtur ata, kishte pasur qasje në biseda e dokumentacione konfidenciale. Madje, ishte i përfshirë në rastin e Prokurorisë për pengim të drejtësisë, ku Prokuroria kishte incizuar bisedat në Qendrën e Paraburgimit.

Kjo situatë ka alarmuar mbrojtjen e krerëve të UÇK-së të cilët kanë kërkuar të gjitha dokumentacionet për punësimin e këtij zyrtari, transkriptet dhe detajet e tjera. Megjithatë, gjyqtarëve të Gjykatës Speciale kjo nuk i është dukur fort shqetësuese, pavarësisht dyshimeve të mëdha për konflikt të interesit.

“Mbrojtja pohon se: (i) ndërsa punonte në NjQ, [i redaktuar] kishte kontakte të rregullta me katër të Akuzuarit, përmes të cilave ai pati mundësinë të mësonte për shqetësimet dhe preokupimet e tyre të përditshme;24 (ii) ai ishte i përfshirë në [i redaktuar];25 (iii) informacioni i zbuluar nga ZPS dhe Regjistri në përgjigje të kërkesave të mbrojtjes nuk i përgjigjet kërkesës së Mbrojtjes në një numër aspektesh të rëndësishme, duke përfshirë natyrën e punës së tij dhe përfshirjen e tij me [i redaktuar]”, është thënë në një vendim të Speciales.

Megjithatë, mbrojtja ka alarmuar se të gjitha kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, dhe nuk kanë qasje në dokumente për të vërtetuar nëse ka pasur konflikt të interesit apo jo,

Prokuroria është përgjigjur duke theksuar se ky person nuk ka pasur qasje në informacione specifike të ndjeshme, të cilat mund të ndikojnë në rastin e pengimit të drejtësisë, apo në këtë rast.

“Regjistruesi përcaktoi qartë se [redaktuar] nuk kishte qasje në asnjë material të privilegjuar, qoftë dixhital apo fizik, dhe kjo është në përputhje me informacionin në dispozicion të ZPS-së;33 (iii) zbulimi nuk është i justifikuar në rrethana kur baza e supozuar për të është kundërshtuar shprehimisht;34 (iv) në masën që Mbrojtja po përpiqet të zgjerojë bazën e saj për të aksesuar informacionin jo-publik, kjo nuk përmbush testin e zbatueshëm për një konflikt interesi dhe injoron faktin se [redaktuar] është i lidhur nga kushtet e një marrëveshjeje të rreptë moszbulimi (‘NDA’) e cila e ndalon atë të zbulojë, ndajë ose përdorë çdo informacion jo-publik të fituar gjatë punësimit të tij të mëparshëm”, është thënë në përgjigjen e Prokurorisë.

Megjithatë, sikur edhe në 99 për qind të rasteve të tjera, gjyqtarët ishin në anën e Prokurorisë së Specializuar.

Ata kanë theksuar se kërkesat e mbrojtjes për të pasur qasje në dokumente të tilla, po përdoret si një peshkim, sa për të nxjerrë disa informacione, të cilat nuk janë të rëndësishme, Si rezultat, gjyqtarët e rrëzuan kërkesën.

“Paneli konsideron se kërkesat e mbrojtjes për informacion dhe kërkesa aktuale po përdoren pjesërisht si një ekspeditë peshkimi që synon të nxjerrë informacion që mbrojtja shpreson se SPO (dhe/ose regjistri) mund të ketë dhe mund të mbështesë pretendimin e mbrojtjes për një konflikt interesi”, është thënë në vendim.

Pra, një prokuror i Prokurorisë së Specializuar së Hagës, kishte punuar si gardian apo zyrtar tjetër në Qendrën e Paraburgimit. Por, në aspektin juridik, gjyqtarët kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes dhe një ankesë e tillë nuk ka shkuar përpara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit duhet ti kalojë edhe dy kundërshtarë për…