Mbyllet karantina në QS, 30 qytetarët e fundit dolën mbrëmë nga ajo

30 maj 2020 | 08:36

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë, Qendra e Studentëve në Prishtinë nuk do të përdoret më për karantinë. Grupi i fundit prej 30 qytetarëve janë liruar mbrëmë pas një jave qëndrim në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Para vendimit për të dalë nga karantina, të gjithë i janë nënshtruar testimit për Covid-19 dhe pas publikimit të rezultateve negative, me përcjelljen e FSK-së dhe Policisë së Kosovës, ata janë dërguar në shtëpi për të qëndruar edhe për 14 ditë tjera në vetizolim.

Këto informacione i ka dhënë menaxheri i Qendrës së Studentëve, Valdet Hashani.

“Grupi i fundit i qytetarëve që kanë qëndruar një javë, pas rekomandimeve të IKShPK-së, të gjithë kanë rezultuar negativ dhe me përcjelljen e FSK-së dhe Policisë së Kosovës, kanë shkuar në shtëpitë e tyre. Nga ky moment mund të themi se kararantina zyrtarisht shpallet e mbyllur”, ka thënë Hashani.

Ai ka bërë me dije se të gjithë të liruarit nga karantina kanë nënshkruar një deklaratë nën betim se do të vetizolohen edhe për 14 ditë të tjera. “Nënshkruajnë deklaratën nën betim se do të vazhdojnë edhe për 14 ditë të tjera të qëndrojnë në shtëpi dhe kjo do të vlejë për të gjithë qytetarët që vijnë në Kosovë deri në një rekomandim të ardhshëm nga IKSPShK-ja”, ka thënë Hashani.

Nga 18 marsi në Qendrën e Studentëve ishin karantinuar mbi 1 500 qytetarë, ku vetëm 11 prej tyre kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e…