Mbyllet QMF-ja në Kijevë, disa punëtorë shëndetësorë dalin pozitivë me Covid-19
Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me Covid-19 në Malishevë ka marrë vendim për mbylljen e përkohshme të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në Kijevë, pasi disa punëtorë shëndetësorë të kësaj qendre kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Rezultatet e punëtorëve shëndetësorë janë konfirmuar sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
Punëtorët shëndetësorë tani e disa ditë kanë qenë në vetizolim, mirëpo për shkak të sigurisë është sugjeruar mbyllja e QMF-së, derisa të përfundojë testimi i punëtorëve tjerë shëndetësorë dhe të krijohen kushte për kryerjen e shërbimeve shëndetësore.
Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me Covid-19 në Malishevë ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e kësaj ane që për disa ditë shërbimet shëndetësore t’i kryejnë në QKMF-në në Malishevë.



