Më 13 shtator mbahet seanca e radhës ndaj Pjetër Shalës në Gjykatën Speciale

21 qershor 2021 | 13:40

Të hënën është mbajtur seanca e tretë për ecurinë e rastit ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë kësaj seance është vendosur që seanca e radhës të mbahet më 13 shtator.

Kjo datë ishe e përshtatshme për prokurorinë, mirëpo jo edhe për mbrojtjen e Shalës pasi avokati i tij, Jean-Louis Gillissen, ka kërkuar që seanca tjetër të mbahen në pjesën e dytë të shtatorit pasi do të ketë një ndërhyrje shëndetësore.

Gjyqtari paraprak i procedurës, Nicolas Guillou, ka bërë me dije se dhoma e seancave nuk mund të jetë e lirë kurdo që kërkon mbrojtja veçse në rast se do të ketë ndryshime rreth datës do të informohen.

Ndërsa avokati i Shalës në mes të tjera ka thënë se nxjerrja e materialeve po vazhdon pa probleme.

“Procesi i nxjerrjes së materialeve është zhvilluar dhe ka ecur pa probleme fare, me dashamirësi do ta theksoja këtë aspekt. Na është konfirmuar se nxjerrja e materialeve sipas një rregulle, është plotësuar. Kemi kërkuar sqarime në disa video ku përfshihet i akuzuari”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte të pretenduara si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Këto pretendime i ka hedhur poshtë Shala qysh në seancën e parë e cila është mbajtur në muajin prill, duke u deklaruar i pafajshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryetarin e Partisë…