Më lehtë mund ta pastrosh një shtet sesa një karakter njeriu
Shkruan: Iljasa Salihu
Para pak javësh, Shkupi lëngonte dhe gëlonte nga mbeturinat. Nuk i pastronin për arsye se pastrimi i mëpastajshëm duhej të vërehej gjithandej. Ky qytet me ajër të ndotur dhe me rrëmujë në trafik, kishte nevojë ta jepte një britmë të dëgjueshme larg, ndonëse këtu tashmë diçka po ndryshon. Mbeturinat e trajtësuara në mullarë, ishin gjësendi i duhur për të tërhequr vëmendje, paçka se për disa muaj sytë tanë shihnin pështirësi dhe hundët tona nuhasnin qelbësi. Papandehur, pasi pushteti qendror e fitoi edhe pushtetin vendor, Shkupi për 72 orë u pastrua, kurse sheshet dhe rrugët filluan të marrin erë shamponi. Sakaq, duke e menduar këtë zhvillim, më shkrepi një mendim rreth karakterit të njeriut që nuk është material, por shpirtëror, edhe pse kanë lidhje njëri me tjetrin. Një problem i shtresuar për disa muaj, vetëm për 72 orë u zgjidh, ngaqë ishte problem material, fizik dhe i prekshëm, paçka se edhe në zgjidhjen e këtij problemi mund të vërehej ushqimi i egos dhe dobësimi i karakterit, sepse pavarësisht aktit të mirë, motivi nuk ishte i sinqertë, duke u mundësuar kështu të vihet në pah pleksja e materiales dhe shpirtërores, por gjithsesi që problemet shpirtërore i mbisundojnë dukshëm çështjet materiale, prandaj jo rastësisht shqetësimi i filozofëve, psikologëve, sociologëve, teologëve dhe i shkrimtarëve ka qenë çështja shpirtërore dhe ndikimi i saj në virtytet dhe arsyet e njeriut, të shoqëruara me shumë pikëpyetje dhe me shumë mëdyshje qenësore.
Fillimisht mësohu si të tregosh dhe si të ndihmosh
Para se të tregosh diçka të bukur dhe të dobishme, sigurohu që atë ta thuash në mënyrë të mirë, të butë dhe me zë të qetë. Në të kundërtën, më e bukura dhe më e dobishmja, lehtësisht mund të shndërrohen në dërdëllitje dhe në acarim nervash. Fundja, mirësia më e madhe në këtë rast është të mësohesh si të flasësh. Tjerat mirësi pastaj vijnë palë-palë!
Nuk të thotë jo, por ta dëshmon ndajfoljen kurrë
Nuk të thonë kurrë jo, por atmosferën e krijojnë asisoj që të thonë kurrë. Lloji i tyre për t’i ikur keqkuptimit e kultivojnë thellë nënkuptimin. Nëse u kërkon ndihmë, të thonë se me kënaqësi të madhe do t’ju ndihmojmë, por pikërisht këto ditë nuk i kemi punët mirë! Sikur të na kishe kërkuar ndihmë vetëm një javë përpara! Këta nuk të thonë jo, por ta bëjnë me dije se kurrë nuk të ndihmojnë, ndaj nënkuptueshëm, ti nuk duhet të kërkosh ndonjëherë ndihmë prej tyre. Këta nuk të largojnë prore, por të mbajnë në orbitë, ngaqë mund t’i duheni ndonjëherë. Këta edhe kur t’ju poshtërojnë, sërish e mendojnë të mirën e tyre. Nuk të poshtërojnë për diçka tjetër, pos që ky poshtërim i duhet të mirës së tyre!
Ju trajtojnë si hije
Në një botë të mbisunduar nga interesi dhe mundësia për shfrytëzim, lehtësisht shumë syresh sot ju trajtojnë dhe ju trajtësojnë në hije, prandaj ata që ju trajtojnë si hije, kurrë mos u ofroni ngrohtësi, ngaqë kështu e ruani veten dhe u jepni këshillë konkrete për t’i thirrur mendjes. Ata nuk e vlerësojnë fare praninë tuaj, flasin dhe hiqen sikur të mos ishit fare. Kësodore, ti si hiç, hiqja ngrohtësinë këtyre të mërdhirëve dhe vetëm pastaj u mbetet atyre të mendojnë më thellë!
Mirënjohja u përket zemërgjerëve
Mirënjohja është një ndjenjë e lartë, që nuk mund ta mbajnë të vegjlit. Është shumë e gjerë për t’u mbajtur në një zemër tepër të ngushtë, prandaj shumë prej atyre që u keni bërë të mira, nuk duan as t’ju shohin, dikur as t’ju njohin, përpiqen t’ju nënçmojnë në mënyrë që t’ju mbajnë sa më larg. Lloji i tyre kur të mbërrijnë diçka në jetë, mundohen që atë arritjeje t’ia cilësojnë vetëm vetes, duke e vulosur tashmë mosmirënjohjen dhe duke e mbyllur çdo rrugë të mundshme se dikush në jetë i është gjendur përkrah. Megjithatë, njeriu duhet të veprojë mirë, të ketë hise puna vullnetare në jetën e tij, pavarësisht mugullimit të mosmirënjohësve, por një gjë kurrë nuk duhet të harrojë; çdo të mirë që bën, fillimisht të jetë falënderues ndaj Zotit për këtë mirësi dhe ajo le të jetë për hir të Zotit, sepse Ai nuk harron dhe vetëm Ai shpërblen më së miri, përndryshe nuk ka më keq se të bësh mirë dhe pastaj të ndjehesh keq dhe për rrjedhë të rrokullisesh në gropën e dëshpërimit të thellë.
Kujdes prej të penduarve nga pendimi
Kemi edhe të atillë që si rrjedhojë e karakterit të dobët dhe egos së fuqishme, pendohen për pendimin e mëparshëm. Kështu që, ata që paradite ndjejnë keqardhje për një faj dhe pasdite ndjejnë keqardhje për keqardhjen e paradites, janë njerëz që kurrë nuk mund të merreni vesh për asgjë. Atyre u mungon qëndrueshmëria në qëndrime. Edhe kur të bëhen të mirë dhe të bëjnë vepra të dëlira, nuk mund të gëzoheni, ngaqë u mungon qëndrueshmëria në qëndrime. Prandaj, me kalimin e kohës fillojnë të gjejnë prehje dhe përshtatje në këtë paradoks. Ata mendojnë se kështu është mirë, herë pendohen e herë pendohen për pendimin e mëparshëm dhe kështu bëhen fanatikë të përsëritjes dhe për rrjedhojë e përsëritura përsëri përsëritet dhe në anën tjetër, ti përsëri të përsëriturës i qasesh njëjtë; pret përsëri përmirësim! Mirëpo, nëse këtë e pranon dhe ende shpreson se mund të bëhet ndryshe, atëherë ai që ka nevojë për përmirësim, tashmë je ti. Me pak fjalë, po nuk e mbajti dikush fjalën e dhënë dy herë radhazi dhe ti ende shpreson se do të merreni vesh, atëherë faji për acarimet e mëtutjeshme, ty do të vihet mbi supe dhe për rrjedhojë ti duhet të vuash dhe të mundohesh krejt panevojshëm.
Çështja morale para asaj materiale
Çështja materiale ka kuptim vetëm pas çështjes morale. Pa moral, jeta mund të na shndërrohet në moçal. Fshatra, qytete dhe shtete të rregulluara pa njerëz të ndërtuar dhe të ngritur moralisht, janë thjeshtë sikurse pemët dhe perimet e bukura në shportën e tavolinës, por të prodhuara nga materiali i plastikës, ku mund të kënaqesh teksa i shikon, por nuk mund t’i shijosh kurrë.
Gjithsesi, Shkupin e stërndotur e pastruan për 72 orë, por pastrimi i karakterit tonë dhe i atyre, të cilëve shoqëria ia dëshiron të mirën, nuk mund të pastrohet me orë, as me ditë e as me javë, por me përpjekje të vazhdueshme, me dituri, me besim dhe me maturi, ku do të duhet ditur se kur edhe të bëhet tërheqja nga përpjekja e sinqertë për pastrim dhe ndërtim për të vazhduar në fusha dhe në zemra të tjera, tashmë i mbërthyer me përvoja të ngjeshura dhe të reja.



