Me platformën inovative të rinjve do t’u ofrohen 50 mijë vende të punës

28 gusht 2019 | 13:21

Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, ka thënë se me platformën e kësaj ministrie brenda një periudhe dhjetëvjeçare do të krijohen 50 mijë vende punë në IT.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se qendrat inovative do të kenë shtrirje në tërë Kosovën.

“Kemi paraparë që t’i kemi 15 qendra të inovacionit brenda katër vjetësh, po ashtu kemi paraparë t’i kemi 5 000 start up biznese inovative për një periudhë dhjetëvjeçare, kurse 1 800 sosh vetëm për katër vjetët e ardhshëm”, ka thënë Shala. Në këtë intervistë Shala ka folur edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke theksuar se PDK-ja në këto zgjedhje do të dalë partia e parë.

Albulena S. MAVRAJ

“Epoka e re”: Z. Shala, na tregoni një biografi të shkurtër tuajën dhe si erdhi deri tek emërimi juaj ministër Inovacionit, edhe pse emërimi juaj ndodhi pak ditë para se kryeministri të japë dorëheqje?
Shala: Në moshën 22-vjeçare kam filluar punën në Shkollën e Mesme në Vushtrri, më pastaj kam shkuar në Angli, kam punuar mësimdhënës i matematikës dhe kam vazhduar studimet e mëtutjeshme. Tash e tetë vjet jam kthyer me bindjen që të punoj për vendim tim dhe kam filluar punën në institucione arsimore dhe në sektorin privat. Kam puruar në fabrikën e Llamkosit në Vushtrri. Pra, kam një përvojë të kombinuar. Edhe pse asnjëherë nuk kam qenë pjesë e strukturave të larta të PDK-së, kam qenë qytetar aktiv që kam punuar në Vushtrri dhe kam marrë pjesë në hartimin e planeve të PDK-së. PDK-ja dhe kryetari Kadri Veseli dolën me propozimin për emrin tim në krye të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Natyrisht, ishte moment emocional pasi është përgjegjësi dhe shërbim shtesë ndaj vendit pozita e ministrit.

“Epoka e re”: Nëse PDK-ja do të jetë sërish në pushtet, nga prizmi juaj si do t’i zhvilloni inovacionin dhe ndërmarrësinë?
Shala: Partia Demokratike e Kosovës ndoshta është e vetmja parti që e ka një platformë e që është “Dekada e Re”. PDK-ja ka ofertë të qartë për qytetarët pasi nuk është duke thënë ne kemi vija të kuqe, por e ka vetëm ofertën për qytetarët e që është “Dekada e Re”. Jemi duke punuar me një grup të ekspertëve dhe më është kërkuar që të fokusohem në atë se cilët janë mekanizmat që kemi për t’i arritur në kuadër të objektivave të ministrisë, e jo vetëm të flasim. Ne, gjenerata e re e PDK-së, jemi më shumë teknokratë, jo vetëm politikanë. Ne kemi paraparë që brenda një kohe t’i krijojmë 50 mijë vende punë për IT.

“Epoka e re”: Në çfarë periudhe kohore do të krijohen këto 50 000 vende pune në fushën e IT-së?
Shala: Llogaritet që brenda shtatë apo dhjetë vjetësh, pasi nuk mund të flasim vetëm për kohën sa ne mendojmë për të qeverisur për katër vjet, por duhet të mendojmë më strategjikisht se ku do të jetë Kosova pas 20 vjetësh. Ne kemi 28 mijë e 500 nxënës të Gjimnazit Natyror (Shkollave të Mesme) dhe duhet të kemi strategji të qartë për ta, pasi janë potencial i madh për Kosovën dhe duhet t’i përgatisim këto kuadro, mirëpo kur t’i përgatisim atëherë kemi rrezik që do ta lëshojnë vendin, prandaj do t’u krijojmë mundësi të qëndrojnë në Kosovë.

“Epoka e re”: Kur e përmendni shifrën prej 50 mijë vende pune, a mendoni se mund të sistemohen të gjithë në Kosovë apo po përgatisim kuadro edhe për eksport?
Shala: Po nëse i forcojmë këto kuadro dhe nuk hapim vende pune në Kosovë, atëherë këta shumë lehtë do të kenë për vende pune, sidomos në Gjermani që kemi target dhe ka nevojë për kuadro të teknologjisë. Ne jemi duke punuar që brenda pesë vjetësh të sjellim në Kosovë kompani të brendeve të njohura për fushën e IT-së.

“Epoka e re”: A keni pasur takime apo kontakte me ndonjë përfaqësues të ndonjë brendi të njohur?
Shala: Javën e ardhshme do të jemi në Gjermani dhe qëllimi ynë është të krijojmë kontakte dhe përmes tyre po tentojmë për të trokitur në derë me qëllim që të kemi degë të tyre në Kosovë. Ne do t’i shfrytëzojmë edhe kanalet diplomatike, por qëllimi është të sjellim degë të tyre në Kosovë, të cilat më pas do të sjellin edhe vende të punës, e që do të shkonte në paralele, pra jo vetëm trajnime, por edhe vende të punës, pasi vetëm trajnimi i tyre do të ndikojë që të ketë eksport të të rinjve jashtë vendit, kurse të gërshetuara do të kemi edhe eksport të dijes. Pra, të rinjtë do t’i kemi këtu me paga të mira dhe do ta vazhdojnë punën në Kosovë.

“Epoka e re”: Nga prizmi juaj, a kemi klimë të biznesit për të sjellë kompani të mëdha?
Shala: Po ju mund të pyesni se a mund të punojnë kompanitë në Kosovë. Natyrisht se po, në bazë të informatave që i kemi marrë nga ATK-ja, kemi kompani që ka 600 punëtorë në fushën e telemarketingut dhe po funksionojnë, pra askush nuk është duke i penguar. Kemi kompani që i ka 170 punëtorë dhe ofrojnë shërbime për kompani në ShBA, por ankesë kryesore këto kompani kanë mungesën e kuadrove. Andaj jemi të interesuara për t’i zhvilluar kuadrot, duke qëndruar afër tyre. Nëse sot një kompani i ka 30 punëtorë, vitin e kaluar i kishte tetë punëtorë. Pse mos t’i ketë vitin e ardhshëm 100 punëtorë dhe pas disa vjetësh ky numër do të rritet edhe më shumë. Këta ndërmarrës po i quajmë “heronjtë e kësaj gjenerate” për faktin se po bëjnë zhvillimin ekonomik të vendit. Këta ndërmarrës do t’i forcojmë duke i mbështetur në aspektin financiar, por edhe t’ua hapim rrugën e bashkëpunimit me firmat internacionale. Një nga pronarët e një kompanie të suksesshme në Kosovë ka shkuar në moshën dyvjeçare në Zvicër dhe pastaj është kthyer në Kosovë dhe sot në fushën e telekomunikimeve dhe zhvillimit të softuerëve i ka 200 punëtorë. Ky është një model që duhet marrë parasysh. Po ashtu, kemi raste kur individë të caktuar kanë punuar në kompani të mëdha botërore dhe sot kanë hapur degët e atyre kompanive në Kosovë. Kam studentë të mi që punojnë në kompani të mëdha në botë, siç është “Vodafone”, “Deloitte”, “Cisco” të cilët i ka ftuar që të vijnë në Kosovë. Shumë shpejt do ta kemi platformën “Heronjtë e gjeneratës”. Do të bëjmë thirrje publike që ata të vijnë në Kosovë dhe t’i hapin degët e kompanive të tyre. Nëse ata kanë problem që komunikojnë me CEO, pronarët e kompanive ku punojnë, atëherë ne do të komunikojmë me ta dhe do t’ua tregojmë modelin tonë.

“Epoka e re”: A pritet që edhe në komuna të tjera të ketë qendra inovative?
Shala: Për ta arritur numrin prej 50 mijë personash të punësuar në sektorin e IT-së duhet kthim i mjeteve për investime në këtë sektor. Kemi pastaj energjinë alternative, biomasës e shumë sektorë të tjerë që mund të jenë inovativë në Kosovë dhe të bëhen konkurrues edhe në tregun evropian, por që kthimi i mjeteve në këta sektorë është më i ngadaltë. Për t’i bërë të gjitha këto qendrat e inovacionit do të jenë një prej mekanizmave, pastaj do të jetë dhe qendra duale dhe platforma EDEX që është model i Harvardit. Qendrat inovative do të kenë shtrirje në tërë Kosovën. Kemi paraparë t’i kemi 15 qendra të inovacionit brenda katër vjetësh, po ashtu kemi paraparë t’i kemi 5 000 start up biznese inovative për një periudhë dhjetëvjeçare, kurse 1 800 sosh vetëm për katër vjetët e ardhshëm.
Qendrat e inovacionit do të përdoren si parainkubator dhe inkubator, pra do të jenë edhe si qendra të trajnimeve. Do të kemi takim edhe me rektorin dhe Këshillin Drejtues të UP-së në mënyrë që të mundësojmë një model të qendrave të inovacionit siç është në Ohio, që kemi marrë elemente të kësaj qendre dhe ia kemi përshtatur Kosovës. Po ashtu, kemi synim stimulimin e patentave dhe publikimeve shkencore në revista me impakt faktor, pasi në Kosovë kemi hulumtime shkencore në baza individuale, por ne duhet të krijojmë grupe hulumtuesish. Duhet të krijojmë një institut shtetëror të hulumtimeve, i cili do t’u takojë të gjitha universiteteve. Nga përvoja ime shumë universitete dëshirojnë të hyjnë në konsurcium 20/20, ndërkaq universitetet e huaja neve nuk na pranojnë për shkak që nuk ka publikime me impakt faktor.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për këto zgjedhje?
Shala: Pa dyshim se PDK-ja do të dalë partia e parë, sepse ka platformë dhe program të qartë për rininë. Këtë e shoh nga puna në terren që jemi duke bërë në vazhdimësi, por edhe nga kontaktet që kemi me strukturat në të gjithë Kosovën. Ardhja ime si ministër tregon se PDK-ja ka për qëllim që t’u japë hapësirë gjeneratave të reja. Pra, jemi dëshmitarë se ministrat e PDK-së, përjashtuar Bedri Hamzën, i përkasin gjeneratës së re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur në…