Me raportuesit e Komisionit të Venedikut diskutohet për projektligjin për tubimet publike

15 shtator 2020 | 12:33

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka bërë me dije se në takim me raportuesit e Komisionit të Venedikut, kanë diskutuar për Projektligjin për tubimet publike të sponzoruar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ai ka thënë se gjatë hartimit të këtij koncept dokumenti grupi punues ka marrë për bazë edhe ligjin e Sllovenisë dhe atë të Kroacisë, të cilat janë vende të BE-së dhe të rajonit dhe që janë nënshkruese të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe konventave e kartave tjera që garantojnë të drejtën e tubimit paqësor të qytetarëve.

“Komisionin e Venedikut e falënderova për efikasitetin e trajtimit të kërkesës sonë për komente për këtë projektligj”, ka shkruar Veliu në llogarinë e vet në “Facebook”.

Edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka theksuar se si qeveri janë të përkushtuar që reformat shtetërore dhe projektligjet e përgatitura të jenë të një standardi dhe cilësie të lartë juridike.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm me Komisionin e Venedikut si dhe me mekanizmat e tjerë është mënyra më e mirë për të siguruar që projektligjet tona janë në harmoni me standardet më të larta juridike”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

(F.D / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Don Xhoni është emër i ri në tregun e muzikës…