
Mediet ndërkombëtare raportojnë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur vonë të enjten se një qeveri e re mund të formohet pa mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, një vendim i kundërshtuar nga partia e kryeministrit në detyrë, e cila ka premtuar protesta në rrugë.
Kështu e fillon shkrimin mediumi prestigjioz britanik Reuters, sipas të cilit Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua më 25 mars pas më pak se dy muaj në detyrë, pas mosmarrëveshjeve me partnerin e saj kryesor, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për trajtimin e saj të pandemisë së Covid-19 dhe rreth heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.
“Partia më e madhe politike nuk ka ekskluzivitetin për të propozuar kandidatin e kryeministrit për të formuar qeverinë”, ka njoftuar gjykata në aktgjykimin e saj, citon “Reuters” vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Reuters” sjell në pah edhe deklaratën e ambasadës amerikane në Kosovë ku thuhet: “Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë popullin e Kosovës”.
Siç shkruhet më tej në shkrimin e “Reuters”-it, të publikuar gjithashtu edhe nga media tjera si The New York Times, Kurti mbështeti zgjedhje të parakohshme pasi pa që partitë e tjera u mblodhën së bashku me ish-partnerin e tij të koalicionit LDK për të formuar një qeveri të re.
(M.Q / Epoka e re)