Memli Krasniqi i zhgënjyer me Qeverinë

12 dhjetor 2023 | 18:14

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i zhgënjyer dhe e ka cilësuar si të papranueshëm, të ulët dhe diskriminues vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos ndarë asnjë cent për investime kapitale komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare.

Një deklaratë të tillë Krasniqi, ka bërë pas vizitës në Komunën e Kaçanikut, ku ka takuar kryetarin e kësaj Komune, Besim Ilazin.

“Mbetet zhgënjyes, i papranueshëm dhe i ulët, diskriminimi i madh të cilin Qeveria Kurti po ua bën qytetarëve të kësaj komune, duke mos u ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale edhe për vitin e katërt me radhë”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Ky diskriminim, sipas tij, duhet të përfundojë.

Institucionet janë të të gjithë qytetarëve, dhe duhet t’u shërbejnë të gjithëve, pa dallim, ashtu siç po u shërben të gjithëve kryetari Besim Ilazi”.

Bazuar në analizën e Institutit për Studime të Avancuara (GAP) për ndarjet buxhetore për vitin 2024, konsiderohet se Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse vitin e kaluar, ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

“Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”.

Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

Në raportin e Institutit GAP për ndarjet buxhetore, thuhet se në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2024, ekzekutivi është treguar më i matur në planifikimin e të hyrave dhe shpenzimeve sepse parashikohet një rritje e ngadalësuar e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, përkatësisht 5 dhe 3 për qind, duke arritur në shumën 3 dhe 3.3 miliardë euro.

Shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale, thuhet ndër të tjera në analizën e institutit GAP, ka mbetur e ulët. Insituti GAP ka vlerësuar se nga gjithsej 859.2 milionë euro sa janë planifikuar për shpenzime kapitale për vitin 2024, rreth 83% janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 17% janë planifikuar për projekte të reja kapitale.

“Pjesëmarrja e buxhetit të ndarë për investime kapitale në Bruto Produktin Vendor (BPV) ka një trend rënës nga viti 2017, dhe në vitet 2021 dhe 2022 ka mbetur e pandryshuar, në nivel prej 8%. Për më shumë, shkalla e realizimit të buxhetit të ndarë për investime kapitale mbetet e ulët, në nivel 60% në vitin 2022 dhe në nivel 35% deri në shtator të vitit 2023”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka lëshuar një njoftim për…