
Memli Krasniqi: Ne zgjedhim Kushtetutën, jo tym e zjarr për Kuvendin!
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas mbledhjes së 42-të me radhë të Kuvendit, e cila u zhvillua edhe këtë herë nën alarmin për bombë dhe sërish pa ndonjë rezultat konkret. Ai ka kritikuar ashpër bllokimin e procesit dhe qasjen e një grupi deputetësh, të cilët sipas tij, po shkelin Rregulloren e Kuvendit, Ligjin dhe Kushtetutën.
“U mblodhëm edhe sonte, edhe pas një alarmi për bombë, për herë të 42-të me radhë. Fatkeqësisht, përsëri pa një përfundim pozitiv, të cilin po e presin qytetarët, e për të cilin ka shumë nevojë shteti,” tha Krasniqi.
Ai theksoi se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të imponuar votimin e fshehtë në mënyrë të paligjshme.
“Ne kemi zgjedhur Kushtetutën dhe Ligjin për t’i dhënë zgjidhje bllokadës – dhe aty do të mbështetemi deri në fund. Tym e zjarr për Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk kemi, ashtu siç kishte Kurti e Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën!”, u shpreh ai.
Krasniqi gjithashtu shprehu shpresën që Gjykata Kushtetuese të vendosë sa më parë për kërkesën e paraqitur nga PDK, në mënyrë që Kuvendi të mund të konstituohet brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh. Ai e cilësoi si “turp” dhe “të pakuptueshëm” insistimin për votim të fshehtë në kundërshtim me normat ligjore.
Ky ngërç institucional po e lë vendin në një gjendje të pasigurisë politike, ndërsa qytetarët presin zgjidhje dhe përgjegjësi nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.