Memorandum bashkëpunimi me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe diskutim për mbrojtjen e pronave të UP-së

01 maj 2026 | 16:20

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, së bashku me bashkëpunëtorë, zhvilloi një vizitë zyrtare në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ku u prit nga u. d. drejtori i përgjithshëm i AKK-së, Faik Kelmendi dhe ekipi i tij.

Në kuadër të kësaj vizite, Universiteti i Prishtinës dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, i cili synon fuqizimin e raporteve ndërinstitucionale në fusha me interes të ndërsjellë.

Memorandumi parasheh angazhimin e ekspertizës profesionale dhe akademike të Universitetit të Prishtinës, nëpërmjet instituteve dhe njësive përkatëse, në mbështetje të nevojave profesionale të AKK-së.

Po ashtu, marrëveshja krijon mundësi për realizimin e praktikës profesionale të studentëve, si dhe për shfrytëzimin e kapaciteteve institucionale në funksion të punës kërkimore-shkencore.

Një ndër temat kryesore të takimit ishte trajtimi i çështjeve pronësore me të cilat po ballafaqohet Universiteti i Prishtinës.

Me këtë rast, zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës u zotuan se do t’i trajtojë me urgjencë dhe seriozitet të gjitha problemet pronësore të ngritura nga UP-ja.

Gjatë takimit u arritën edhe dakordime konkrete kohore për qartësimin dhe trajtimin e disa çështjeve emergjente pronësore, të cilat janë me rëndësi të veçantë për funksionimin dhe mbrojtjen e pasurisë institucionale të Universitetit të Prishtinës.

Memorandumi përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit të UP-së me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe krijimit të mekanizmave më efikas për trajtimin e çështjeve profesionale, akademike dhe pronësore me interes publik.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kongresistët amerikanë dhe rezoluta për Kosovën në NATO: një moment…