Mendimi vizionar i Adem Jasharit për t’i ngritur strukturat e luftës

23 qershor 2020 | 11:11

Bedri Islami

 Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (13)

Do të ishte shfaqja e parë madhore e njerëzve të gatshëm për luftë. Pas demonstratave të jashtëzakonshme në fundin e vitit 1989, kjo do të ishte tabloja e dytë e asaj që do të vinte në pasmarsin e vitit 1998.

Nëse Adem Jashari do të kishte pasur konceptin e ngushtë për luftën, pra nëse ai do të kishte menduar se “hajt, po ia fillojmë…”, gjithë ata njerëz që kishin rrethuar malin, do të ishin një ngasje e madhe për ta bërë këtë. Një njeri i zakonshëm, i revoltuar, i gatshëm të luftojë, ndoshta do ta kishte parë të arsyeshme se “mund t’ia fillojmë”. Në fund të fundit, do të kishte qenë e justifikueshme. Aq më shumë kjo do të kishte qenë e justifikueshme në çastet e dhimbjes vetjake, kur sheh se gjithë anëtarët e familjes janë peng i pushtuesit, kur burrat janë lidhur dhe nuk dihet fati i tyre. Por, kjo do të ishte e natyrshme për një njeri të zakonshëm, jo për njerëz që kthejnë për së mbari historinë dhe jetën e një kombi.

Adem Jashari ishte në këto të fundit, ai që atëherë do të hynte në plejadën e njerëzve që jo vetëm janë pjesë e historisë, por edhe e bëjnë atë. Dhe e bëjnë për së mbari. Ai nuk do të ngutej. E kishte të qartë se asgjë nuk do të vinte për së mbari nga grykat e Velanisë, por as nuk i bëhej merak për këtë. Po të ishte puna që të pyeteshin “institucionet” e Kosovës, as për njëqind vjet nuk do të kishte filluar qëndresa e armatosur, për të shkuar drejt luftës së pashmangshme.

30 dhjetori i vitit 1991 do të ishte fillesa e pagëzimit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse do të kishim pasur ngutje, nëse njeriu mit do të kishte menduar se “hajt, po ia fillojmë” do të kishte qenë lehtësisht e mundshme që çdo gjë do të ishte shkatërruar e rrënuar, ani pse njeriu që do të kishte filluar do të kishte mbetur në histori.

Adem Jashari nuk ishte nga ata burra që donte ta fillonte dhe të mbeste në histori. Ai donte të bënte një ngrehinë të tillë që, jo vetëm ta fillonte, por edhe ta përfundonte, dhe kjo nuk mund të bëhej ndryshe, veçse e strukturuar mirë, jashtë dhimbjes vetjake. Ai kërkonte të hidhej themeli i fuqishëm, i palagështitur dhe dhimbja vetjake sigurisht që do ta bënte të lagësht.

Në vitin 1993, në një fjalim publik, me rastin e varrosjes së dy dëshmorëve, Ukshin Hoti, vizionar dhe njëkohësisht dinjitoz si ai, do të thoshte krejt hapur se “Kosovës i duhet ushtria e saj çlirimtare”. Do të ishte e njëjta gjë që do të sendërtonte Adem Jashari, pasi e kishte kërkuar atë, pasi kishte punuar për ta pasur atë. Mendimi vizionar, i thënë krejt shkurt nga Adem Jashari, po ashtu krejt saktë se “armët nuk i kam marrë për t’ia dorëzuar Serbisë, por që ta bëj luftën kundër saj”, është krejt i njëjtë me përqasjen filozofike të Ukshin Hotit, për domosdoshmërinë e krijimit në Kosovë të ushtrisë së saj çlirimtare.

A do të kishte qenë e mundur që të kishte ndodhur krejt ndryshe, pra të kishte një fillesë lufte dhe, më pas, nuk do të dihej se çfarë do të kishte ndodhur? Është e sigurt se nëse do të kishte pasur ngritje të shpejtuar, humbjet do të kishin qenë të rënda dhe, ndoshta, të parikthyeshme. Në fundin e vitit 1991 Kosova nuk ishte e përgatitur për luftën që do të vinte. Ajo sapo kishte dalë nga protestat masive të një viti më parë, në të cilat kishte pasur edhe humbjet e ndjeshme të Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë dhe të tjerëve. Nëse demonstratat e atyre ditëve kishin qenë sinjali i parë i luftës që po afrohej, dhjetori i vitit 1991 ishte guri i parë i provës, provë përmes së cilës mund të kalonin vetëm ata që do të ishin të gatshëm për aktin suprem të flijimit të madh.

Mendimi vizionar i Adem Jasharit për t’i ngritur në radhë të parë strukturat e luftës, mbështetur jo vetëm te një njeri, te një familje apo te një fis, dëshmoi se kishte qenë i drejtë dhe i saktë. Fakti se rreth tij u mblodhën, në një mënyrë ose në një tjetër, nga larg ose nga afër, të gjithë ata që do të ishin njëkohësisht pjesë dhe realizues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të çon pashmangshëm te mendimi tjetër: cilët ishin ata te të cilët Adem Jashari kishte falur besimin e tij të madh dhe kishte rrokur besën se do t’u shkonin punëve deri në fund.

Është lehtësisht e dallueshme se kushdo që ka ecur nëpër rrugëtimin e luftës, në një mënyrë ose në një tjetër, ka pasur lidhje ose ka qenë i përfshirë në strukturat që lidheshin me Adem Jasharin. Nuk ka asnjë dekret të posaçëm për të, edhe po të ishte kërkuar të dilte një dekret i tillë, Adem Jashari do ta hidhte poshtë. Edhe kur bëhet mbledhja e njohur e 5 prillit 1993 në Kullën e Jasharëve, ai nuk e vendos veten mbi të tjerët, sepse as që e ka ndërmend një gjë të tillë. Fjalëpakë si gjithnjë, atë e brenin rishtas dy halle të mëdha: ecuria e ushtrisë që po ngrihet, emërtimi i saj dhe, më e rëndësishmja, ai rikthehet te mendimi tij për përgjegjësinë e aksioneve. Mbledhja e 5 prillit në Prekaz është një ndër më të rëndësishmet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Disa nga emrat e njohur të luftës do të jenë pjesë e saj, mes të cilëve edhe Fadil Kodra, Hamit Jashari, Sahit Jashari, Besim Rama, Rafet Rama, Hashim Thaçi, Jakup Nura, Ilmi Zeka, Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku e të tjerë. Fakti që mblidheshin në kullat e Jasharëve, megjithëse ajo ndodhej nën vëzhgimin e përhershëm dhe mund të sulmoheshin, dëshmon për dy gjëra: sigurinë që afronte ajo dhe rolin prijatar të Adem Jasharit.

Megjithatë, ai kurrë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, por e gjithë kjo, brenda Kosovës, u bë krejt natyrshëm, si diçka e zakonshme dhe e kuptueshme. Nëpër portat e atyre kullave do të hynin Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Sulejman Selimi, Nait Hasani, Ramiz Lladrovci, Jakup Krasniqi, Iliaz Kodra, Nuredin Lushtaku, Abedin Rexha, Kadri Veseli… më parë e kishin bërë këtë rrugë Ahmet Haxhia dhe Ramadan Avdiu, më pas do të shkonin drejt saj Adrian Krasniqi dhe Daut Haradinaj, do të kishin lidhje me të Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Fehmi Lladrovci, kjo do të thotë se do të gjesh thuajse të gjithë emrat e njohur të luftës.

Kjo nuk ka qenë rastësi dhe nuk do të ishte, po ashtu e rastësishme, që në ditët më të vështira, do ta kishin të domosdoshme mbështetjen tek emri i Adem Jasharit. Krejtësisht logjikshëm ai u bë qendra e luftës dhe rrjedhja e mëpasshme e ngjarjeve dëshmoi vërtetësinë e thënies së Shaban Jasharit, se “besën po jua jap, nëse kërcet në Prekaz, ka me kërcitë në të gjithë Kosovën”.

Sidoqoftë, unë do të doja t’i sjell tre shembuj, krejt shkurt.

– është i njohur fakti se Zahir Pajaziti, po ashtu një emër i njohur i luftës, ndoshta nga të paktit drejtues të strukturave të saj që nuk ishte takuar personalisht me Adem Jasharin, në natën e 31 janarit 1997, kur edhe do të vritej, kishte njërin ndër synimet e tij, takimin me Jasharët;

– në fillimin e marsit 1998 do të ndodheshin në Prekaz edhe dy nga figurat emblematike të luftës, Rrustem Mustafa dhe Rrahman Rama. Megjithëse vinin nga dy zona të ndryshme, ata kishin prirë drejt Prekazit për të njëjtin qëllim: të takoheshin me Adem Jasharin dhe ta merrnin mendimin e tij nëse kishte ardhur koha t’ia fillonin luftës;

– në të njëjtën kohë, pra krejt në fillimin e marsit 1998, dy drenicas, njëri nga të cilët do të dëshmonte më pas se ishte i denjë të hynte në historinë e kombit si një ndër heronjtë e mëdhenj të tij, Fehmi Lladrovci dhe Sami Lushtaku, kishin braktisur Gjermaninë dhe po ktheheshin përfundimisht në Drenicë. Gjithë rrugës, kur ende nuk e kishin marrë lajmin për vrasjen e Jasharëve, ata kishin vetëm një brengë: çfarë do t’u thoshte Adem Jashari, çfarë do t’i thoshin ata, si do t’i priste ai…

Sepse kjo ishte forca e këtij njeriu. Kalimi përmes miqësisë së tij ka qenë, si të thuash, pa dashje, një gur prove, një moment i rëndësishëm i jetës prej luftëtari.

Adem Jashari i kthehej gjithnjë mendimit të vet vizionar se duheshin ndryshuar rrjedhat e qëndresës dhe se këtë nuk mund ta bënte vetëm një njeri, cilido qoftë ai. Ai në mënyrë të pashmangshme ishte ndër vizionarët që, jo vetëm e kuptoi, por edhe e sendërtoi faktin se lufta nuk ishte pragu i shtëpisë, nuk ishte caku i fundit i oborrit, sinori i fshatit apo mali përballë. Lufta ishte më e gjerë se kaq dhe për motive shumë më thelbësore, për të cilat ia vleje të luftoje dhe të sakrifikoheshe.

Adem Jashari bëri më tej në këtë rrugë.

Njëkohësisht ai po shkruante edhe vizionin e ri të kohës që po vinte dhe këtë nuk po e bënte me fjalë të mëdha, por krejt natyrshëm, duke kaluar përmes gjërave të shenjta për të. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memeli…