
Menduh Thaçi i refuzon zgjedhjet e tetorit
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar procesin si të degraduar në pazare politike dhe duke akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për mashtrimin e shqiptarëve.
“Duke pas parasysh situatën e vështirë në sferën politike në Maqedoni dhe në raport me avancimin e procesit të inkuadrimit në Bashkimin Evropian dhe, në të njëjtën kohë, mungesën e një dëshire për një dialog serioz dhe substancial sa i përket avancimit të të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, e keni kuptuar se PDSH-ja refuzon pjesëmarrjen në këtë qeveri aktuale,” tha Thaçi.
Ai e akuzoi drejtpërdrejt liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, për përgjegjësi ndaj situatës aktuale.
“Duke marrë parasysh se zoti Ahmeti dhe BDI-ja janë përgjegjës kryesor për këtë mashtrim dhe poshtërim të shqiptarëve, ne vendosëm që me ata mos të kemi asnjë lloj bashkëpunimi. Duke i shtuar kësaj se zoti Ahmeti me vetëdije është futur dhe ka marrë si aleat dy armiq të përbetuar të Partisë Demokratike Shqiptare, që nuk kanë kursyer asgjë që ta dëmtojnë këtë parti, kuvendi konstaton që bashkëpunimi me BDI-në është i pamundur,” theksoi kreu i PDSH-së.
Në fjalimin e tij, Thaçi u shpreh se zgjedhjet lokale nuk duhet të shihen si proces që përmirëson pozitën e shqiptarëve.
“Zgjedhjet lokale janë çështje të administrimit lokal, janë zgjedhje administrative dhe nuk duhet të ketë askush iluzion se bëhet fjalë për përmirësim të pozitës apo të drejtave të shqiptarëve, por në pyetje është vetëm koha e pazareve të errëta që individë dhe grupacione të caktuara të marrin pushtetin,” u shpreh ai.
Sipas tij, PDSH ka marrë vendim të prerë për të mos paraqitur kandidatë.
“Në këtë rast, në bazë të këtyre arsyeve, kuvendi qendror merr vendim që PDSH-ja të refuzojë të marrë pjesë në zgjedhje, dhe ne nuk do të kemi kandidat në këto zgjedhje. Qytetarët janë të lirë të vendosin si do të sillen në këto zgjedhje,” tha Thaçi.
Ai shtoi se struktura e partisë është e obliguar të sqarojë qëndrimin e saj tek shqiptarët në rajon dhe tek bashkësia ndërkombëtare.
Kuvendi qendror më obligoi mua dhe strukturat tjera të partisë që gjatë kësaj kohe të informoj shqiptarët brenda Maqedonisë, Kosovë e Shqipëri dhe bashkësinë ndërkombëtare, për arsyet e mos pjesëmarrjes në këto zgjedhje,” përfundoi Thaçi, raporton Albanian Post.