Mënyra e luftës së Perëndimit “nuk po funksionon” në Ukrainë

08 janar 2024 | 20:58

Nga Vazha Tavberidze REL

Profesori Peter Roberts është bashkëpunëtor i lartë në Institutin Mbretëror për Shërbime të Bashkuara me seli në Mbretërinë e Bashkuar, institut që ka në fokus mbrojtjen dhe sigurinë. Hulumtimet e tij përqendrohen në konfliktet bashkëkohore dhe mënyrën se si zhvillohen luftërat.

Në një intervistë për Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë, Roberts tha se mënyra e preferuar e Perëndimit për të luftuar sot – forca masive që synojnë të arrijnë fitore të shpejtë – nuk po funksionon në Ukrainë, ku ushtria e Kievit është përfshirë në një luftë rrënuese kundër forcave pushtuese ruse.

Presidenti rus, Vladimir Putin, po vë bast që të ketë një konflikt që zvarritet për vite të tëra, tha Roberts, dhe “të tejkalojë periudhën kohore të vëmendjes që i jep Perëndimi” këtij konflikti.

Për Ukrainën, luftëtarët e së cilës janë “më të aftë”, sipas Roberts, shumë varet nga aftësia e vendit për të rritur prodhimin e brendshëm ushtarak, me partnerët e saj që luajnë rol në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka evoluar mënyra se si Perëndimi bën luftë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022? Çfarë është mësuar nga kjo ngjarje?

Peter Roberts: Është një pyetje interesante. Mënyra perëndimore e luftës është një koncept që shumë njerëz e kanë mbajtur të pandryshuar, që ka të bëjë me manovra, me ekspeditë ushtarake, me teknologji të lartë, që ka të bëjë me shpejtësinë dhe ritmin, fuqinë ajrore dhe saktësinë. Mendoj se kjo është një ide që ka pasur ndikim në shumicën e fuqive perëndimore që nga vitet ’80. Por, nëse shikojmë në vitin 2003, 2004, kjo periudhë ndoshta ishte pika më e lartë dhe fundi i këtij koncepti. Më pas erdhën një sërë angazhimesh shumë të vështira për Perëndimin, një sërë mësimesh që ata është dashur t’i nxirrnin, ndoshta disa edhe i kanë nxjerr, për idenë që manovrat, koha, shpejtësia jo domosdo funksiononin më në atë mënyrë, veçanërisht në fushatat e gjata që ata përjetuan për 20 vjet në Irak dhe Afganistan.

Një gjë që Ukraina ka e nxjerrë në pah shumë fuqishëm është rikthimi në luftimet konvencionale të nivelit të lartë, në kuptimin që ky lloj luftimi ishte harruar gjerësisht pas Koresë dhe Vietnamit: luftime të gjata dhe të ashpra. Ideja që mund të ishte një luftë e shpejtë ishte një qasje shumë selektive nga Perëndimi që tha: Hej, ne mund të bëjmë që luftërat të zhvillohen shpejt dhe me përfundim të mirë. Dhe Ukraina ka shtyrë shumë aleatë perëndimorë dhe ushtritë e tyre të thonë: Oh, na duhet të kthehemi në shkallën e gatishmërisë dhe përgatitjes, të trajnimit të fuqisë ushtarake dhe të aftësive. Dhe mos harroni, disa prej këtyre armëve konvencionale që shumë në Perëndim donin t’i sakrifikonin, në mënyrë që të mund të investonin në hapësirën kibernetike dhe në teknologjinë e re që mendohej se do të ishte fituese në fushëbetejë, por që në të vërtetë nuk ka prodhuar rezultat.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ajo shprehja e vjetër që djemtë do të kthehen në shtëpi për Krishtlindje tani është më e vërtetë se kurrë më parë?

Peter Roberts: E saktë. Mendoj se në ushtritë perëndimore ka një dilemë të vërtetë, sepse ato janë të pajisura dhe të përgatitura për të zhvilluar luftëra të shkurtra, luftëra me teknologji të lartë. Këto ushtri tani po përballen me dilemën se kjo nuk është mënyra se si armiqtë po luftojnë. Mendoj se fakti që armiku mund të zgjedhë mënyrën se si e zhvillon luftën, është një fakt që është lënë në harresë në mendësinë ushtarake perëndimore.

Radio Evropa e Lirë: A ishte kjo për faktin se shanset ishin më shumë në favor të Perëndimit?

Peter Roberts: Absolutisht. Edhe pse shanset gjithmonë kanë qenë në favor të Perëndimit, ju mund t’i shihni këto mësime që dalin nga Iraku dhe Afganistani. Në Afganistan kishim një aleancë që nuk ishte parë kurrë në histori, në kuptimin e aftësive ushtarake, që kishte fuqi më të madhe sesa pjesa tjetër e botës, që kishte inteligjencë dhe analiza, që zotëronte ajrin dhe kishte teknologjinë më të sofistikuar në gjenerata… dhe sërish, ata u mposhtën. Ata u mposhtën nga një forcë prej 5.000-10.000 luftëtarësh, që endeshin me kuaj, që ndërtonin bomba artizanale dhe luftonin me armë të Luftës së Dytë Botërore.

Pra, kjo ideja e mënyrës perëndimore të luftës, siç ata e parashikuan për 30 vjet se mund durojë dhe ende mund të ketë sukses, ishte thellësisht e gabuar dhe problematike. Megjithatë, shumë pak persona e pranuan këtë gjë. Ka shumë që e kanë mohuar dhe vazhdojnë ta mohojnë. Për të gjitha njoftimet se pas Ukrainës, Gjermania do të riarmatoset, Mbretëria e Bashkuar do të investojë më shumë para, ju mund të shihni pak shtete që po plotësojnë këto qëllime. Polonia ndoshta, Suedia, disa shtete nordike, shtetet baltike, por ka pak fuqi të mëdha ushtarake evropiane – Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – që i janë përmbajtur retorikës politike pas nisjes së luftës në Ukrainë. Prandaj, unë mendoj se këtu qëndron një prej problemeve kyçe: Ata duket se nuk mund të bindin popullatën e tyre apo veten që janë në një moment që në të vërtetë duhet të investojnë.

Radio Evropa e Lirë: Manovrat e lavdëruara me armë të kombinuara – metoda e preferuar e Perëndimit për luftërat e mëvonshme – para kundërofensivës u përkrah gjerësisht dhe besohej se Ukraina do të ishte në gjendje ta përdorte këtë lloj luftimi në fushëbetejë. Nëse do të mund ta bënte, ai do të jepte rezultate. Ne kemi parë pak nga kjo metodë, në fakt komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, gjatë një interviste të dhënë së voni për The Ecomonist tha se lufta është në një bllokadë. Pse?

Peter Roberts: Manovra me armë të kombinuara është vetëm një mënyrë e luftimeve, apo jo? Pra kjo metodë – në vend që të luftoni me këmbësori apo vetëm me artileri – ju luftoni me të gjitha armët së bashku: inxhinierinë, artilerinë, këmbësorinë, plus fuqinë ajrore dhe sulmet nga distanca. Dallimi, mendoj unë, është se Perëndimi priste që kjo metodë të përdorej për më shumë gjëra: për të lëvizur forcat përreth fushëbetejës, për të sulmuar vullnetin dhe kohezionin e armikut për të luftuar. Ukraina e ka bërë këtë në disa raste. Shtabi i Përgjithshëm ukrainas ka bërë një punë të mrekullueshme në sulmet ndaj komandës dhe kontrollit rus. Ata kanë bërë një punë të shkëlqyer për të ndërprerë linjat e furnizimeve dhe për të sulmuar në zonat më të thella. Prandaj, ne këtu pamë sukses në kundërofensivën në fund të vitit të kaluar.

Por – ky është realiteti – problemi është se kërkon një kuptim të mirë të armikut – që Ukraina e ka – por, nuk mendoj se pjesa tjetër e Perëndimit ka njohuri të tilla. E dyta, gjeometria, gjeografia e shtetit ju lejon të bëni diçka të tillë. Tani, përderisa vijat e frontit në Ukrainë janë jashtëzakonisht të mëdha – me qindra, mijëra kilometra të gjata – realiteti është se nuk ka terren që ju lejon të përdornin atë lloj manovre luftarake për të goditur me grusht të hekurt fillimisht, e më pas të shënoni rezultate të mëdha.

Malet, lumenjtë, relievi i tokës, moti, toka bujqësore, fushat, që të gjitha e pengojnë këtë lloj manovre. Dhe, po ashtu është fakti se Rusia ka bërë një punë shumë të mirë – dhe nuk mund ta mohoni – në ndërtimin e vijave mbrojtëse që parandalojnë thyerjen e mbrojtjes, që nënkupton se tani palët po luftojnë për territor, siç ka thënë gjenerali Zaluzhniy, për 91 metra nganjëherë. Pra, luftimet janë kthyer si të lëvizjeve të bëra në Luftën e Parë Botërore ku përparimi në fushëbetejë shkonte sa andej-këndej.

Kjo nuk nënkupton se nuk mund të bëhen përparime, se nuk mund të mposhtet armiku. Nënkupton që ne kthehemi në afatet kohore që Perëndimi nuk i pëlqen, që janë luftime të gjata, të ngadalta, të ashpra, me plot vdekje dhe shkatërrim, luftime në kushte të papërshtatshme, apo jo? Por, është një koncept që shumë perëndimorë çuditen me të. Ata duan thjesht që një goditje e fuqishme me grusht prej hekuri të thyejë mbrojtjen dhe të dalë në anën tjetër dhe të mposhten rusët. Kjo është një qasje shumë tradicionale perëndimore. Unë thjesht nuk shoh se ka ndonjë mënyrë që kjo të realizohet, që kjo të realizohet tani.

Radio Evropa e Lirë: Kam dëgjuar se kjo lloj lufte përshkruhet si një lloj lufte që shihet në filmat e Hollywood-it. A është i saktë ky përshkrim?

Peter Roberts: Hollywood-i e ka popullarizuar këtë lloj lufte dhe ka krijuar idenë se ajo mund të ndodhë në çdo fushëbetejë. Realiteti është se mund të ndodhë dhe ka ndodhur në fushëbeteja. Gjermanët e kanë përdorur shumë mirë në blitzkrieg [‘lufta e shkurtër’ gjatë Luftës së Dytë Botërore]. Në një mënyrë, amerikanët e përdorën në mënyrë të suksesshme gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe deri në vitin 2003. Ka shumë shembuj që mund të funksionojnë, por duhet të ketë edhe aspekte të tjera që kjo metodë të funksionojë. Fushëbetejat ukrainase nuk e kanë atë gjeografi, atë topografi, atë gjeometri që do t’iu lejonte që të zhvillonin një lloj të tillë lufte.

Prandaj, mendoj se në njëfarë kuptimi kishte pritshmëri për një luftë Hollywood-iane: një fitore e shpejt duke përdorur këtë metodologji. Thjesht nuk mendoj se konteksti i luftës e ka lejuar atë që të ndodhë për një sërë arsyesh. Por, arsyeja numër një është gjeografia. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka qenë mjaft i qartë për këtë. Ata kanë qenë nën një presion shumë të madh, jo vetëm nga politikanët dhe shoqëria e tyre, por edhe nga gjeneralët perëndimorë dhe qeveritë perëndimore që të bëjnë një lloj përparimi të mahnitshëm, sikur kjo befas të ishte e mundur. Çelësi është se konteksti ndryshon në çdo luftë që hyni. Asnjë betejë nuk është njësoj dhe për shkak se armiku gjithashtu përshtatet, betejat janë dinamike. Dita e pestë nuk është e njëjtë si dita e parë e një beteje. Ato janë të ndryshme, sepse të dyja palët përshtaten me situatën, me terrenin përreth tyre dhe fushëbeteja po ndryshon.

Doktrina duhet të jetë një grup idesh gjithëpërfshirëse që u mundësojnë fleksibilitetin për të mposhtur kundërshtarin tuaj në shumë nga këto mënyra. Megjithatë, ndonjëherë ju përballeni me bllokadë: të dyja palët po luftojnë siç dinë më së miri me pajisjet që kanë dhe asgjë nuk do të ndryshojë në terma afatshkurtër. Dhe këtu përfundoni në një luftë të zgjatur dhe në të vërtetë në konflikte të ngrira, nëse këto bllokada vazhdojnë për një kohë të gjatë.

Pra, nëse shikoni Gjeorgjinë nga viti 2008, kryesisht është një konflikt i ngrirë. Rusia e pushtoi, e aneksoi, mori një pjesë të territorit të tyre sovran në Osetinë Jugore dhe në Abkazi, duke i mbajtur këto territore në një konflikt të ngrirë. Moska nuk do t’i kthejë ato territore, aty po ndërton baza ushtarake, po përforcohet dhe po rifurnizohet. Dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që ky lloj pozicioni të mos ngurtësohet në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te Rusia, le të flasim se çfarë mund të thuhet për mënyrën ruse apo kulturën ruse të luftës? Dhe cilat janë disa nga dallimet kryesore mes mënyrës së saj dhe të Perëndimit?

Peter Roberts: Në esencë, Shtabi i Përgjithshëm rus ishte po aq i joshur nga qasja perëndimore, për mënyrën perëndimore të luftës që folëm. Vërtetë, aksionet e tyte të shpejta – ose përpjekja për një sulm të shpejtë në Kiev në fillim të luftës – ishte po kjo. Ishte një autokolonë e blinduar lehtë e forcave speciale, e mbështetur nga ajri dhe forcat e blinduara, që synonte të merrte nën kontroll zonat kyçe, të shkatërronte qeverinë dhe të zëvendësonte regjimin. Kjo mënyrë është jashtëzakonisht e njohur për këdo që ka jetuar në Perëndim. Në mënyrë të dëshpëruar ata tentuan ta realizonin këtë plan. Por, Ukraina bëri reagime të shkëlqyera… i bllokoi ata dhe i mposhti.

Mendoj ajo që shpëtoi ofensivën ruse në shumë mënyra është fakti se ….pjesë e atij plani ishte që shumica e ushtrisë ukrainase të mbahej në pozicionet në lindje të shtetit, pas dislokimit të një numri të madh të ushtarëve rusë dhe artilerisë në atë pjesë. Kjo përfundoi në luftë të artilerisë, një lloj i luftës ruse: luftë e gjatë, e ngadalshme, monotone, shumë e dobët, e pakujdesshme, më pak e varur nga komanda, më pak e varur nga të menduarit, më shumë e varur nga fuqia e zjarrit, nga shkatërrimi pa menduar për pasojat. Dhe kjo, në shumë mënyra simbolizon mënyrën ruse të luftës, pasi kjo mënyrë ka qenë e suksesshme, por shumë e kushtueshme.

Lufta asnjëherë nuk është efikase, por mënyra ruse është shumë e kushtueshme, duke gjuajtur 60.000 predha në ditë. Kjo mbajti ushtrinë ukrainase në pozicionet që ishte dhe më pas rusët bënë ato inkursionet e mëdha në Ukrainë, duke marrë pjesë të mëdha të territorit, por më pas u ndaluan nga mbrojtja e fortë e Ukrainës dhe kjo u ekzekutua në mënyrë të shkëlqyeshme. Është e vështirë të gjesh në histori për një mënyrë të ekzekutuar më mirë sesa kur një komb humb ngadalë territor dhe armiku i rraskapit në përpjekjet për të mbajtur atë vijën që ata arritën ta kishin para se të ndodhte kundërofensiva e parë.

Pra, mënyra ruse është një lojë e gjatë. Përfundon pas pesë apo dhjetë vjetësh, historikisht shumë e suksesshme, një luftë e gjatë për të lodhur armikun. Por, kjo luftë nuk ka të bëjë me mposhtjen e armikut. Kjo mënyrë nuk ishte e suksesshme kur u përpoq të ndryshonte regjimin. Kjo ka bëjë më shumë se si të arrihet që të lodhet armiku deri në pikën sa të dorëzohet. Pikërisht në këtë pikë po punon Rusia tani. Po punon në infrastrukturë. Po godet qendra të populluara, furnizime të rrymës, po godet linjat e furnizimeve me ujë, gazin – që të gjitha këto e bëjnë të pranueshme jetën gjatë luftës, dhe rusët tani po godasin në këtë pikë. Ata sulmojnë në këto pika për të mbajtur vijën e frontit. Ata me këtë mënyrë shpresojnë të gjunjëzojnë Ukrainën.

Radio Evropa e Lirë: Besoj se kjo është e kombinuar me përpjekjet për të tejkaluar Perëndimin dhe qëndresën perëndimore?

Peter Roberts: Kjo është arsye pse mënyra ruse dhe ndoshta kineze e të zhvilluarit luftë ka qenë më e suksesshme sesa e Perëndimit, sepse ata kanë një pikëpamje më afatgjatë. Ne e dimë se problemi i vërtetë ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nëse [ish-presidenti, Donald] Trump rikthehet në pushtet. Raportet e tij me rusët ka të ngjarë të nënkuptojnë se do të ketë më pak mbështetje për ukrainasit. Evropianët nuk kanë fuqi të mjaftueshme zjarri, mbështetje me armë, stoqe me armë apo kapacitete për të prodhuar armë, aq sa SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës.

Prandaj, periudha kohore është problematike. Vëmendja e Perëndimit është afatshkurtër. Mbështetja nga shkurti deri në nëntor të vitit 2022 ka vdekur. Ne shohim pak vazhdim të kësaj mbështetjeje. Ne kemi parë polakët, prej aleatëve më të mëdhenj të Ukrainës, që po bëjnë bllokada të furnizimeve në kufirin ukrainas, duke parandaluar qindra kamionë me furnizime me municione, ushqim dhe ujë. Të gjitha këto gjëra i duhen Ukrainës për të mbështetur luftën e saj dhe ato po bllokohen dhe po vonohen që të arrijnë në shtet.

Ka probleme të mëdha. Koha është favor të palës ruse, sikurse asaj kineze. Kjo është diçka që Rusia e kupton. Ajo është në gjendje të shpërdorojë jetë, të shpenzojë para, të shpërdorojë shumë e shumë gjëra. Por, e di që nëse mund ta tejkalojë periudhën që Perëndimi ka vëmendjen, në terma politikë, tek Ukraina, më pas do të jetë në gjendje ta marrë Ukrainën dhe Gjeorgjinë dhe pjesën e mbetur të Kaukazit.

Radio Evropa e Lirë: Në tërësi?

Peter Roberts: Po ashtu mendoj. Mendoj se nëse Putini dhe populli rus do të jenë të suksesshëm në Ukrainë, ata do të shikojnë që të shtyjë përpara gjërat në Gjeorgji. Nëse ata vërtet do të aneksonin territor apo vetëm do të shndërroheshin në një fuqi të madhe në Kaukaz, unë nuk do të isha i befasuar nga asnjëra nga këto lëvizje.

Radio Evropa e Lirë: Duke qenë se jam gjeorgjian, nuk do të befasohesha nëse do të kishte edhe një inkursion të Rusisë në Gjeorgji. U befasova kur thanë se Rusia mund të jetë në gjendje të marrë të gjithë Ukrainën.

Peter Roberts: Mendoj se do të jetë një gjë që mund të bëhet. Nëse Perëndimi nuk do të ishte aq i shpërqendruar, mendoj se diçka e tillë do të ishte e pamundur. Por, ka shumë gjëra që mund të shkojnë në disfavor të Ukrainës dhe ta bëjë luftën më të vështirë për ta. E para, është mundësia që Trumpi të zgjidhet president dhe t’i japë fund mbështetjes amerikane për Ukrainën. E dyta, mendoj se sanksionet kundër Rusisë nuk kanë qenë efektive. Nuk mendoj se ka pasur një kryengritje të komunitetit global ndaj Ukrainës.

Shikoni ata që vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe ata që furnizojnë me armë Ukrainën, ata bëjnë pjesë në grupin e njëjtë të shteteve, që kanë më pak se 15 për qind të popullsisë së botës. Pra, asnjë nga ta nuk është nga Jugu Global, asnjë nga Afrika e Jugut, ka pak nga Azia që po i ofrojnë Ukrainës furnizime me armë. Pra, vetëm një e pesta e botës po qëndron pas Ukrainës. Po flas sipas numrit të popullsisë e jo sipas bruto prodhimit të brendshëm.

Mendoj se pa mbështetjen e Jugut Global dhe të komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, Rusisë i duket se ka duart e lira. Moska, në mendjen e saj, e sheh se Federata Ruse është duke u përballur sërish me NATO-n. Mendoj se Putini e kupton që rikthimi në pushtet i Trumpit – që besoj se lideri rus do të bëjë gjithçka që të ndihmojë që të arrihet kjo – nuk është shenjë e mirë për Ukrainën dhe i përshtatet Putinit në planet e tij afatgjate.

Në njërën anë, ju duhet të shikoni Ukrainën. Ata janë luftëtarë më të mirë. Ata dinë të përshtaten më mirë me teknologjinë. Ata kanë plane në duar për të përdorur aftësitë e tyre teknologjike në një mënyrë shumë më të sofistikuar. Ata po vazhdojnë të korrin rezultate, ata po vazhdojnë të shtyjnë përpara. Ata janë në numër më të vogël se rusët për shtatë herë, në disa vende. Kanë pësuar humbje të mëdha. Por, ata jo vetëm që kanë nisur të rindërtojnë, por kanë nisur edhe prodhimin në masë dhe tani kanë marrëveshje me furnizuesit perëndimorë të armëve që të nisin prodhimin brenda Ukrainës. Mendoj se ndoshta ky do të jetë sekreti: kush do të mund të prodhojë më shpejtë [armë]? E dimë nga historia se nëse industria e ushtrisë ukrainase sapo të përgatitet do të jetë e pandalshme.

Prandaj, e gjithë kjo ka të bëjë me Ukrainën në terma afatgjatë kundër Rusisë dhe çfarë mund të prodhojnë. Unë shpresoj shumë që do të shohim një rritje të ngadalshme, por graduale të ritmit të përparimeve të ushtrisë ukrainase për të dëbuar rusët… Më e mira që mund të bëjë Ukraina në këtë moment është të vazhdojë të bëjë atë që po bën aktualisht: të vazhdojë të luftojë fortë. Përparimet e bëra me kalimin e lumit Dnjepër ishin fantastike dhe ato i treguan botës se lufta nuk përfundoi aty. Këto përparime ndoshta nuk kanë qenë kryetituj të mediave, por ishin shumë të rëndësishme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është viti i dytë me radhë që presidentja Vjosa Osmani,…