Meraklitë e xhamave të zi marrin një lajm të mirë
Nga data 1 prill 2026, të gjitha automjetet që posedojnë xhama të errësuar do të duhet t’i legalizojnë ato përmes procedurës së A-TEST-it, në mënyrë që të jenë të rregullta në dokumentacion. Sipas njoftimit, ky proces do të kryhet në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), ku bëhet verifikimi i përputhshmërisë së xhamave me standardet e lejuara. Institucionet bëjnë të ditur se pa kryerjen e A-TEST-it, foliet në xhama do të konsiderohen të parregullta, gjë që mund të sjellë edhe penalizime për drejtuesit e automjeteve.
Pronarët e veturave që kanë vendosur folije në xhama këshillohen që të paraqiten në QAK për të kryer testimin dhe për të shmangur gjobat e mundshme. Ministria e Punëve të Brendshme, me akt nënligjor e rregullon përdorimin dhe lejen e vendosjes së xhamave të errët në mjet. Në këtë akt nënligjor thuhet se vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim në xhamat e automjetit është e ndaluar, përveç në mjetet institucioneve shtetërore, të cilat përcaktohen me vendim të Ministrisë së Brendshme. Me ligjin e ri kjo cilësohej si vendosje e pjesëve shtesë në automjet dhe dënohej për kundërvajtje, me gjobë prej 40 euro.



