Mërgata shqiptare në SHBA dhe çështje e pazgjidhur shqiptare

19 shtator 15:38

(Emin Kabashi, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, monografi, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2020)

Elez Osmani, prof.

Hyrje

Monografia Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, trajton një temë shumë të gjerë. Vetë përkufizimi, çështja shqiptare, është temë e përmasave kombëtare, me raporte të ndërsjella në planin ndërkombëtar. Po, ashtu, mund të thuhet, se monografia përkundër faktit se nismën e ka për disa veprimtarë të çështjes kombëtare, siç janë në rastin tonë, vëllezërit Osmani në SHBA, lidhte me tërësinë e zgjidhjes së çështjes shqiptare të pa zgjidhur edhe sot e tërë ditën. Do të thotë, studiuesi, prof. dr. Emin Kabashi, ka arritur që duke zbatuar një metodologji të caktuar shkencore, të njëjtësojë të veçantën me të përgjithshmen, pra ta trajtojë veprimtarinë e vëllezërve Osmani në tërësinë trajtimit të veprimtarisë së mërgatës shqiptare në shërbim të çështjes shqiptare në SHBA.

Vëllezërit Osmani dhe Liga Shqiptaro amerikane

Në monografinë Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, marrë në gjithë strukturën e veprës, është trajtuar veprimtaria atdhetare e Ligës Shqiptaro-amerikane, jo vetëm e këtyre viteve, kur janë angazhuar edhe vëllezërit Osmani, por që në historikun e saj, pra që në kohën kur atdhetarët shqiptarët, kanë dhënë çdo gjë, mjete financiare, gjak, armë dhe këngë për lirinë e Shqipërisë. Nëse vetëm shkarazi shqyrtohet veprimtaria e mërgatës shqiptare në SHBA lidhur me lirinë e atdheut, nëse vetëm në mënyrë sipërfaqësore shqyrtohet veprimtaria e Ligës shqiptaro-amerikane e viteve nëntëdhjetë e deri në çlirimin e Kosovës, atëherë mund të shihet se kjo mërgatë, tërë veprimtarinë atdhetare të saj e ka mbështetur, jo vetëm në mundësitë e saj, por edhe në punën e madhe që është bërë për të fituar përkrahjen e administratës amerikane, qoftë për lirinë dhe pavarësinë Shqipërisë, që nga viti 1912 e tutje, qoftë për lirinë dhe pavarësinë Kosovës që nga vitet nëntëdhjetë e deri në çlirimin e saj në qershor të vitit 1999, qoftë për demokracinë në Shqipëri dhe luftën për liri kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e sotme nga vitet nëntëdhjetë e deri më 2001. Në tërësinë strukturës së monografisë së Prof. dr. Emin Kabashi, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, kjo është lakorja që trajton, analizon, shqyrton, diskuton, sjellë përfundime, duke marrë për bazë veprimtarinë atdhetare të vëllezërve Osmani, të shkrirë në tërësinë e veprimtarisë së Ligës shqiptaro-amerikane, të ndërvarur me intensitetin e angazhimit të administratës amerikane për çështjen shqiptare.

Qoftë vetëm ky aspekt i trajtimit të veprimtarisë së mërgatës shqiptare në SHBA, në shërbim të të gjitha pjesëve të atdheut, mund të thuhet se kjo monografi, në mënyrë të sintetizuar ka shpaluar, përmes vëllezërve Osmani, gjithë veprimtarinë e mërgatës shqiptare në SHBA, tërësinë e angazhimit të administratës amerikane për çështjen shqiptare, si dhe mundësinë dhe fuqinë e këtyre dy faktorëve për të lëvizur ngjarjet në jetën shqiptare, nga aty ku i kishte lënë politika e dikurshme evropiane para njëqind vjetësh e këndej deri në ditët e sotme.

Argumenti i të dhënave historike dhe mërgata shqiptare në SHBA

Në monografinë e prof. dr. Emin Kabashit, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, lexuesi i vëmendshëm dhe i durueshëm, mund të hetojë gjerësinë e argumentimit që ka përdorur autori për të mbështetur të dhënat e ngjarjeve që ka trajtuar në këtë monografi. Argumentet janë marrë nga burime të verifikuara historike, studime shkencore, trajtesa, analiza të ngjarjeve të caktuara që kanë trajtuar çështjen shqiptare, përherë të mbështetura nga administrata më e lartë amerikane, siç janë Senati dhe Kongresi amerikan, e deri të pozita e Presidentit në SHBA.

Janë marrë rrëfime nga dora e parë e veprimtarëve të caktuar, pa u lodhur aspak për përkatësinë tyre ideologjike dje e pardje, as për përkatësinë e tyre partiake dje e sot, siç janë bisedat, intervistat, shënimet, të dhënat e pjesëmarrësve, të thëna me gojë dhe të mbajtura me shkrim, që gjë plotëson aspektin e parë të trajtimit të ngjarjeve në veprimtarinë e mërgatës shqiptare në SHBA.

Janë trajtuar shkrime të mjeteve të informimit, kryesisht ato që i kanë përballuar pluhurit të harresës që u bën koha të gjitha shkrimeve, që edhe synimin, edhe mundësinë e kanë jetëshkurtër. Duke shfletuar shtypin e  kohës, që nga ai i Federatës Panshqiptare Vatra, e deri të veprat e caktuara të autorëve shqiptarë e të huaj, që ose janë marrë me veprimtarinë  mërgatës shqiptare në SHBA, ose kanë prekur aspekte të caktuara të veprimtarisë së saj. Autori i ka sistemuar me kujdes, pa lënduar në asnjë moment gjykimin e drejtë të historisë, varësisht se a janë bërë pjesë e jetës sonë historike, ose a kanë mbetur në kujtesën e njerëzve si ndodhi kalimtare.

Në tërësinë strukturës së monografisë, autori ka arritur të njëjtësojë të veçantën me të tërësishmen, ka arritur të shkrijë këtë të veçantë, si veprimtari e individëve të grupeve në tërësinë e veprimtarisë për çështjen shqiptare. Prandaj, mund të thuhet, qoftë edhe vetëm për këtë anë të metodologjisë krijuese, autori i monografisë Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, ka arritur të sendërtojë, jo vetëm jetën dhe veprimtarinë e një familjeje, në këtë rast të familjes së vëllezërve Osmani, por edhe anët kulmore të veprimtarisë së mërgatës shqiptare në SHBA, sidomos veprimtarinë atdhetare të Ligës shqiptare-amerikane që i ka prirë Xhozef Diogardi, pa të cilin, e thonë edhe vëllezërit Osmani të kësaj monografie, zor se do të ishin hapur dyert e administratës amerikane.

Do të thotë, duke u marrë me të veçantën e jetës së mërgimtarëve shqiptarë, autori ka shpaluar edhe identitetin e veprimtarisë së tyre atdhetare, që ka vetëm një ideologji, ideologjinë e lirisë kombëtare. Po, ashtu, pra, qoftë edhe vetëm për këtë aspekt të përmbushur bindshëm në këtë monografi, mund të thuhet se ky studim shton vlerat e trajtimeve shkencore që janë bërë për mërgatën shqiptare në SHBA.

Përfundim

Duke lexuar monografinë e Prof. dr. Emin Kabashi, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, sidomos burimet ku është mbështetur për të argumentuar këndvështrimin e tij për veprimtarinë atdhetare të mërgatës shqiptare, krijohet bindja se nuk ka mbetur asnjë aspekt i kësaj veprimtarie pa u përfshirë në tërësinë strukturës së monografisë. Por, ka një karakteristikë tjetër, që e mban gjallë kureshtjen e lexuesit, siç është kriteri i masës. Autori nuk është harruar, as pas udhëtimeve të shumta të vëllezërve Osmani dhe të Diogardit e të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë, kudo në tokat shqiptare, kudo në qendrat kryesore të Evropës, kudo ku kushte mërgatë shqiptare në SHBA, por ai ka argumentuar vetëm ato që shpalojnë anët karakteristike të kësaj veprimtarie të madhe.

Më tutje, duke lexuar monografinë e Prof. dr. Emin Kabashit, Vëllezërit Osmnai dhe çështja shqiptare në SHBA, krijohet bindja se janë prekur vetëm anët thelbore të tërësisë së veprimtarisë së mërgatës shqiptare, sado që në fakt, ka edhe episode që flasin për veçanti të caktuara, qoftë të jetës së individëve, qoftë të organizimit të mërgatës, qoftë të periudhave të ndryshme historike, nëpër të cilat ka kaluar jeta historike e atdheut të mërgatës shqiptare në SHBA.

Në fund, mund të them, se përkthimi i monografisë së Prof. dr. Emin Kabashit e përkthyer në gjuhën angleze nga Alexandra Channer, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, i shërben, jo vetëm gjeneratave të reja të mërgatës shqiptare, dhe u shërben edhe lexuesve të tjerë të kësaj gjuhe të madhe, për ta kuptuar drejt përpjekjen e këtij kombi për zgjidhjen e çështjen shqiptare, të pazgjidhur edhe në fillim të shekullit njëzet e një.

Prishtinë, më 20 shtator 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juventusi ka vazhduar me formën jo të mirë, teksa ka…