Merkel tani e tutje vetëm kancelare në detyrë

27 tetor 2021 | 11:31

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dorëzuar detyrën e saj te presidenti Steinmeier, duke u bërë kështu kancelare kujdestare deri në zgjedhjen e pasardhësit.

Bashkë me të përfundoi një periudhë udhëheqjeje që mund të konsiderohet ndër më të mëdhatë në historinë e kësaj republike”, tha presidenti Steinmeier në Berlin.

Angela Merkel ka qenë në krye të shtetit gjerman për 16 vjet, duke përballuar me sukses disa prej sfidave më të forta, siç ishte kriza financiare e vitit 2008, kriza e refugjatëve me Pranverën arabe dhe luftën në Siri, por edhe pandemia e koronavirusit së fundmi.

Kancelarja gjermane la pas saj një Gjermani me ekonomi më të fortë dhe lokomotivë për Bashkimin Evropian, por në fjalimet e saj të fundit ajo shprehet e shqetësuar për të ardhmen e Evropës ndërsa forca të ekstremit të majtë e të djathtë kanë dalë në skenë e po fitojnë fuqi.

Si shembull të mirëqeverisjes, presidenti Steinmeier soll besimin që kancelarja kishte krijuar te populli i saj. Një hap i domosdoshëm sot, sipas shumë ekspertëve, për të krijuar një atmosferë më të qëndrueshme politike dhe të drejtësisë.

Qeverisja e kancelares ka sjellë “respektin, vlerësimin dhe madje edhe simpatinë për vendin tonë, në Evropë dhe në botë. Por, mbi të gjitha, ju fituat besimin e qytetarëve gjermanë”, theksoi presidenti. “Vendimet tuaja  përçonin siguri dhe përkushtim”,  në një kohë kur krizat nuk kanë qenë të pakta.

Pas zgjedhjeve të fundit, Gjermania do të drejtohet nga fituesit socialdemokratë, me kancelar Olaf Sholcin, ish-ministër i Financave në Gjermani.

Më herët gjatë së martës, dhoma e ulët e parlamentit gjerman, Bundestagu 736 anëtarësh, zgjodhi si kryetare 53-vjeçaren Baerbel Bas  përfaqësuese e partisë fituese të qendrës së majtë Social Demokrate./oranews/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një kandidaturë më pak për të zëvendësuar Ole Gunnar Solskjaer…