Merret vendimi për Zonën e veçantë ekonomike amerikane në Gjakovë

26 qershor 2018 | 16:05

Qeveria e Kosovës ka miratuar të martën formimin e Zonës së veçantë ekonomike amerikane, e cila është vendosur të jetë në Komunën e Gjakovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se ky vendim është marrë në bazë të propozimit të grupit punues, të cilin e ka themeluar Qeveria e Kosovës në muajin maj të këtij viti.

“Janë hapur të gjitha mundësitë që të përgatitet plani i fizibilitetit. Shpresojmë që të bashkëpunojmë edhe me USAID-in amerikan dhe kësisoj ta kemi një adresë për investitorët amerikanë, për kompanitë amerikane në Kosovë, ku do t’i gëzojnë të gjitha privilegjet, për ta bërë atraktive ekzistencën e kësaj zone për investime në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai e ka quajtur këtë si lajm të mirë ekonomik dhe që vjen në prag të 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas marrjes së këtij vendimi, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se ky është një lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë qytetarët e kësaj komune.

Ai ka thënë se për këtë zonë janë ndarë 500 hektarë tokë në një pjesë të përshtatshme në Rezina të Gjakovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me shefen e…