Tahiri: Kodi i ri Civil do ta bëjë Kosovën më të besueshme

26 qershor 2018 | 15:53

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë marrë pjesë në tryezën e fushatës informuese “Kodi Civil modern qëndron për diversitet dhe mundësi”.

Me këtë rast, ministri Tahiri, ka shprehur përkushtimin e tij që përmes ndryshimeve legjislative, Kosova të bëhet e qasshme, e besueshme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët.

“Si ministër i drejtësisë, çdo ditë po përpiqemi që shtetin ligjor ta bëjmë më të qasshëm, të besueshëm dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Drejtësia ka disa kuptime. Por përditshmëria e një shoqërie të lirë, të drejtë dhe në të cilën funksionin rendi dhe ligji, më së miri kuptohet përmes drejtësisë që rregullon fushën civile të marrëdhënieve në mes njerëzve”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, Kodi i ri Civil do të avancojë edhe më tej sigurinë juridike në krijimin e marrëdhënieve civile.

“Kodi Civil i Republikës së Kosovës do të garantojë zbatimin unik të parimeve të drejtësisë civile duke krijuar sigurinë juridike të nevojshme në krijimin, avancimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve civile, qoftë të natyrës familjare, pronësore apo të atyre të biznesit”, është shprehur Tahiri.

Ndërkohë, shefja e Zyrës së BE-së, Natalia Apostolova, ka nënvizuar rëndësinë e konsultimeve të tilla publike ku qytetarët mund të marrin pjesë në draftimin e legjislacionit kyç, sikurse që është kodi civil.

Ajo ka thënë se kodi i ri do të ndihmojë në harmonizimin më MSA-në në rregullimin e çështjeve që ndërlidhen me pronën, familjen, trashëgiminë dhe obligimet në një mënyrë jo diskriminuese, duke përmirësuar në veçanti të drejtat pronësore të femrës.

Tryeza, që është organizuar nga Ministria e Drejtësisë, e përkrahur nga Programi i Kodit Civil i financuar nga Bashkimi Evropian, mblodhi akterët institucionalë dhe akademikë, duke përfshirë profesionistët ligjorë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar dhe kontribuar në procesin e hartimit të kornizës ligjore për çështjet civile në përputhje me standardet e BE-së dhe vlerat e saj të barazisë dhe të drejtave civile.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me…