Delegacioni i kryeqytetit merr pjesë në ‘Ditët e Kosovës në Izmir’, prezantohen projektet strategjike të Prishtinës
Delegacioni i kryeqytetit të Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetari Florian Dushi, ka marrë pjesë më 20 dhe 21 nëntor në aktivitetin “Ditët e Kosovës në Izmir”, organizuar nga Bashkia Metropolitane e Izmirit dhe Shoqata Kosovë-Rumeli për Kulturë, Art dhe Turizëm.
Në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve Izmir–Kosovë, nënkryetari Dushi ka prezantuar projektet strategjike të Prishtinës në fushën e infrastrukturës, transportit publik, menaxhimit të mbeturinave, shëndetësisë dhe teknologjisë. Në emër të kryetarit Përparim Rama, ai i ka ftuar investitorët turq të bashkëpunojnë në projekte që sjellin investime dhe krijojnë vende pune në Kryeqytet.
Krahas Forumit të Pushteteve Lokale dhe programit kulturor, një vend të veçantë ka zënë takimi me shqiptarët në Izmir. Familjet e tyre janë detyruar të shpërnguleshin gjatë shekullit të kaluar, si pasojë e politikave represive të regjimeve serbe e jugosllave. Brez pas brezi, ata kanë ruajtur gjuhën, traditat dhe lidhjen me vendin e origjinës.
Siç ka thënë nënkryetari Dushi, “ata u larguan nga Kosova, por Kosovën e morën me vete!”.



