Mexhiti: Një sërë provimesh shtetërore nga sot do të mbahen edhe në gjuhën shqipe
Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, sot në një konferencë për medie ka folur për avancimin e gjuhës shqipe dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan “Telegrafi Maqedoni”.
Ai ka thënë se nga sot e tutje disa provime shtetërore do të jepen edhe në gjuhën shqipe.
“Sot kamë një lajm të rëndësishëm sa i përket avancimit të gjuhës shqipe, ashtu siç përcakton Marrëveshja e Ohrit. Një sërë provime shtetërore sot e tutje do të jepen në gjuhën shqipe”, ka thënë Mexhiti.
Mexhiti ka njoftuar opinionin se në Maqedoninë e Veriut nuk po ndodh asnjë regres i gjuhës shqipe dhe as nuk ka shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Përkundrazi për më pak se dy vite në qeveri, VLEN jo vetëm që ka ruajtur zgjidhjet ekzistuese por edhe ka avancuar zgjidhjet e munguar në arritjen e barazisë gjuhësore”, ka thënë Mexhiti.
Mexhiti ka thënë se për më shumë se 20 vjet provimet në vend janë dhënë në gjuhën maqedonase, pa marrë parasysh se në çfarë gjuhe është kryer arsimi.
Ai ka thënë se VLEN po bën atë që BDI për 20 vjet vetëm e premtonte.
Mexhiti sot u ka bërë thirrje qytetarëve që 28 Nëntorin ta festojnë në mënyrë dinjitoze dhe të mos bien në provokimet e opozitës.
I pyetur lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Mexhiti ka thënë se Maqedonia e Veriut ka nevojë për zgjidhje dhe jo zgjedhje.
“Për këtë temë jam deklaruar edhe më herët. Për këtë temë jemi konsistent edhe Kryeministrinë. Jemi dakorduar se jemi të interesuar për zgjidhje dhe jo zgjedhje. Pra Maqedonisë së Veriut nuk i duhen zgjedhje, por zgjidhje”, ka thënë Mexhiti.



