Mes ankthit dhe shpresës, familjarët rrëfejnë për zhdukjen e të dashurve të tyre

29 gusht 2022 | 15:05

Organizata “Ndriçimi i jetës” ka mbledhur dhjetë rrëfime nga familjarë të personave të pagjetur, të cilat i sjell në librin “Të jetosh mes ankthit dhe shpresës”, i cili është promovuar të hënën në Prishtinë.

Përmes këtyre rrëfimeve, synohet që të tregohen fakte për vrasjen dhe zhdukjen me dhunë që serbët iu kanë bërë shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë si dhe t’iu bëhet thirrje institucioneve që të bëjnë më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Lajme për Agim Sylën, familjarët vazhdojnë të presin edhe 23 vjet pas zhdukjes së tij nga forcat serbe. Dhimbjen dhe ankthin e pritjes për të e kanë treguar edhe në librin e rrëfimeve.

“Shumë është dhimbje për familjarët. Për të gjithë është një pritje e dhimbshme dhe mundimshme. Dhimbje është edhe për ata që kanë vdekur, por që i kemi gjetur dhe e kemi një lehtësim. Çdo vit shkojmë i përkujtojmë iu flasim, kur udhëtojmë – ndalemi tek varrezat. Por, për këta nuk e di njeri. Jemi në ankth, ku është, qysh është zhdukur, qysh është mbytur, se di as trupin, as ku i ka copat, nuk e di një copë ku e ka, a e ka të shpërndarë…, është një ankth shumë i madh. Është tmerr që shteti dhe institucionet nuk bëjnë asgjë. Të duket që ky libër që u bë po na duhet që diçka kemi dëgjuar për ta, ose po dimë diçka, institucionet kurrë nuk vjen dikush me të vet, nuk ta dinë dhimbjen”, ka thënë Selvije Syla, motra e Agimit.

Agim Syla ishte 19 vjeç kur është zhdukur, ndërsa janë vrarë babai dhe vëllai i tij, trupat e të cilëve janë gjetur më vonë, por jo edhe ai i Agimit.

Dhjetë rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur i ka mbledhur kryetarja e organizatës “Ndriçimi i jetës”, Lutfije Vokshi.

Vokshi, e cila ende është në pritje të lajmeve për vëllain e saj të zhdukur, ka thënë se përmes këtyre rrëfimeve e ngrenë zërin që institucionet të kuptojmë dhimbjen e familjarëve dhe të punojnë më shumë për zbardhjen e fatit të tyre.

“Për mua ka qenë shumë vështirë dhe shumë e rëndë. Arsyeja është se edhe unë vet jam e prekur, e kam familjarin tim të zhdukur, njëkohësisht e kam ndjerë dhimbjen bashkë me ata, e çdo intervistë që e kam bërë kam qarë bashkë me familjarët. Kam dashur me prek në ato familje që kamerat televizive ende nuk kanë prek… Në këto rrëfime familjarët e ngrisin zërin që qeveritarët të kenë këtë libër në dorë dhe t’i lexojnë tregimet e tyre, vuajtjet e tyre që t’i kuptojnë shpirtërisht dhe ta ngritin zërin, të marrim sa më shpejtë informata për familjarët e vet të zhdukurve. Jo të zhdukur, por këta janë familjarë të kidnapuar me dhunë dhe të pagjetur që 23 vjet”, ka thënë Vokshi.

Ajo ka bërë me dije se për botimin e këtij libri është mbështetur nga “Integra” dhe Bashkimi Evropian.

Ndërsa Izet Abdyli, redaktor i librit, ka thënë se çdo rrëfim në këtë libër është dramë në vete dhe paraqet realitetin e trishtë të luftës në Kosovë.

“Çdo rrëfim në këtë libër është një dramë në vete. Në këto rrëfime shpërfaqet një realitet i trishtë i luftës në Kosovë, ku civilë të paarmatosur, të moshave e gjinive të ndryshme kanë rrëmbyer në prani të familjarëve dhe ende nuk dihet për fatin e tyre. Këto rrëfime përveç që janë një thirrje për institucionet shtetërore të bëjnë me shume për te pagjeturit, personazhet e rrëfimeve sikur ua lehtëson barrën e dhimbjeve që u rëndon ndër vite. Rrëfimet janë të sinqerta dhe ofrojnë dëshmi e fakte për kohën e rrëmbimit apo vrasjen, vendin dhe dëshmitarët e ngjarjeve. Pothuaj nga te gjitha rrëfimet del vetëm një kërkesë , të riatdhesohen eshtrat e të pagjeturve”, ka thënë ai.

Nesër (e martë) shënohet dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur dhe ende nuk dihet për fatin e mbi 1 600 personave të zhdukur më dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Lirim Kastrati ka nënshkruar me…