MËSHIRË NJERËZORE, KU JE?

11 korrik 15:57

IZET SARAJLIQ

Izet Sarajliqi ka lindur në Sarajevë më 1930, kurse ka ndërruar jetë më 2002. Pas studimeve në Fakultetin Filozofik në Sarajevë, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shtëpinë Botuese Veselin Maslesha të Sarajevës. Ka botuar disa përmbledhje me poezi. Librin e parë Fundjavë gri e botoi në vitin 1949. Më 1954 krijoi Grupin 54, i cili u dha shtysë rrymave të reja poetike në Bosnjë dhe Hercegovinë. Më 1953 u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve e Bosnjës dhe Hercegovinës për shkak të mendimeve disidente.

Sarajliqi ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe 17 ditë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Është konsideruar një prej autorëve kryesorë të Evropës Lindore, i kandiduar edhe për çmimin Nobel për Letërsi. Në vitin 1978 ndërmarrja botuese Rilindja në Prishtinë i botoi librin Kërkoj rrugë për emrin tim të përkthyer nga Azem Shkreli, Enver Gjerqeku, Qerim Ujkani, Ali Podrimja, kurse në vitin 2017 nga shtëpia botuese Armagedoni, përkthyer në gjuhën shqipe nga Salajdin Salihu, i është botuar libri Përmbledhja sarajevase e luftës.

Poezitë e Izet Sarajliqit janë përkthyer dhe botuar në: italisht, frëngjisht, holandisht, gjermanisht, sllovenisht, rusisht, lituanisht, anglisht, turqisht, maqedonisht, spanjisht, në gjuhën polake e në disa gjuhë të tjera të botës.

 

PAS PLAGOSJES

 

(Miki Masliqit)

 

Mbrëmë në ëndërr m’u shfaq

Sllobodan Markoviçi

dhe kërkoi ndjesë për plagët e mia.

 

E vetmja ndjesë serbe

gjatë gjithë kësaj kohe,

dhe vetëm në ëndërr

e nga një poet i vdekur.

 

FATI SIPAS MËNYRËS SARAJEVASE

 

Në Sarajevë

në beharin e 1992-shit

gjithçka është e mundur;

pret në radhë për bukë,

përfundon këmbëprerë

në traumatologji.

 

E thua se

kishe fat.

 

SA TË MBAROJË LUFTA

 

Për dallim nga sarajevasit vendas

Uiljem Trajbi mbeti në qytet.

 

Besoj

se ai s’e di

ku e ka pasaportën britanike.

 

E për çfarë i duhet kjo pasaportë,

kur më shumë i duhet

pak raki!

 

Nuk e di nëse Uiliem Trajbi

i përktheu poezitë e mia

para lufte,

por i jam mirënjohës

vetëm se mbeti këtu e nuk na braktisi.

 

Kur të mbarojë lufta,

ndonëse kurrë nuk u njohëm,

patjetër do ta vizitoj.

 

E mbase

me çmim real

do të mund të blihet

edhe ndonjë shishe raki!

 

MËSHIRË NJERËZORE

 

Mëshirë njerëzore,

Ku je?

Athua

Vetëm në libra?

 

MIQVE NGA JUGOSLLAVIA E DIKURSHME

 

Çfarë ndodhi miq, kështu brenda natës?

Nuk e di

çka punoni.

Çka shkruani.

Me cilin pini.

Çfarë librash lexoni.

Madje, nuk e di

a jemi më miq.

 

MOTRAT

 

Esenini i kishte

Shurën dhe Kaçën.

Majakovski i kishte

Ludmillën dhe Olën.

Unë i kisha

Ninën e Razën.

Dhe – të gjitha vdiqën.

Raza e Nina

në distancë prej pesëdhjetë ditësh.

Vdiqën

ose i vranë pa plumba?

Tani patjetër

të kërkoj diku një motër të re.

Nuk mundem assesi

mos me qenë vëlla.

 

TEORIA E DISTANCËS

 

Teoria e distancës u shpik nga postfestumistët

që s’duan të rrezikojnë asnjëherë

 

U përkas atyre

që vlerësojnë se për të hënën

duhet folur të hënën;

të martën do të ishte vonë.

 

Kuptohet

është vështirë të shkruash poezi në bodrum

kur mbi kokë fluturojnë granatat.

 

Më vështirë është

të mos shkruash fare!

 

DUKE MENDUAR PËR SKËNDER KULENOVIQIN

 

I vetmi që mundet,

mos ta them që duhet,

ta shkruajë

variantin mysliman

të “Nëna Stojankë e Knezhopoles

është Matia Beqkoviq.

 

Po, ama, ai nuk do.

 

Veç talentit

duhet dhe shpirtgjerësia e Skënderit.

 

NË NJËQINDVJETORIN E JOSIP BROZIT

 

Sidoqoftë,

ishte shef i shtetit më të lumtur, atij jugosllav.

 

Në këtë shtet

edhe Voisllav Shesheli doktoroi.

 

Kurse ne të tjerët në shtetin e tij

as do të frymonim.

 

BORO SPASOJEVIQIT

Drejtor i “Sarajevo Stanit”, arkitekt, mik, njeri

 

Para luftës

ta premtova një poezi

për Sarajevën

 

Ditën

kur të pashë

se si qaje para kamerave televizive

në qytetin e rrënuar

vet e shkrove.

 

Ç’më mbetet

Veçse ta firmos.

 

 

MIZERJE

 

Ortodoksja ime, mikeshë e djalërisë sime!

Si ia kalon në bodrumin e ndriçuar prej qirinjve?

A i do ende Skënderin dhe Qamilin?

A jam më i madhi poet për ty?

E tmerrshme, të dy jetojmë në një qytet

dhe nuk shihemi, as dëgjohemi.

Ja me ditë,

vetëm mjerim,

as dielli nuk ngroh më dhe as nuk buzëqesh.

 

Nuk na deshën,

nuk na deshën në “Maslesha”,

po “Masleshën” e deshëm ashtu siç ishte.

A do ta kujtosh Jonuzin?

Dënesjet në varrimin e tij?

A mund t’i mohosh ata lot?

A mund të jenë të parëndësishëm lotët,

“Maslesha”, të gjithë ne?

Athua do të bëhesh me kasapët nga Paleja?

Oh, mos, së paku vetëm ty mos!

 

SHIBA

 

S’e marrim me mend

me sa njerëz të dashur

nuk do të shihemi më.

 

Një ndër ta është Shiba.

 

Vdekja s’do ta lëndojë

aktorin e dikurshëm Bata Zhivojinoviq

që u bë i lavdishëm

me filmat e vet

 

E Shiba

siç ishte boshnjakisht dhe pafundësisht i mirë,

sa të përfundonte lufta,

në rastin e parë,

do t’i ndante një rol.

 

Këtë herë,

assesi një rol pozitiv.

 

Heroi pozitiv

Bata Zhivojinoviq

kaherë ka varrosur veten në vetvete.

 

BUZËMBRËMJE

 

Në fushëlojë

djaloshi

luan me kitarë

mbi të fluturojnë

granata nga Polina.

 

I ardhshmi Bulat Okuxhava sarajevas?

 

O djalosh,

vetëm ji i gjallë,

e arti,

që gjithçka qe për mua

besomë,

është i parëndësishëm!

 

MËSHIRË NJERËZORE

 

Mëshirë njerëzore,

Ku je?

 

Athua

Vetëm në libra?

 

LUFTËRAT NË JETËT TONA

 

Marko Bashiqi mbijetoi

dy luftëra ballkanike dhe dy luftëra botërore.

Kjo është e pesta.

 

Për mua dhe brezin tim është lufta e dytë.

 

Për Vlladimirin

tetëmbëdhjetë muajsh

mund të thuhet

se gjysmën e jetës

e ka kaluar në luftë.

 

TANI JAM I VDEKUR

Jovan Divjakut

 

Tashmë jam i vdekur. Vazhdoj të jetoj

vetëm për hir të Vlladimirit.

 

S’guxoj të arratisem

ngaqë nuk jam i sigurt

se kudo qoftë ai

do të jetë i lumtur.

 

PARA KËSAJ LUFTE

 

Para luftës

Oskar Daviço,

i përjetshmi enfant terrible

i letërsisë së dikurshme të përbashkët,

në dy tri raste

më sulmoi.

 

Ah

kur do të më sulmojë sërish!

 

Qosiqi, Isakoviçi, Ekmeqiçi, Nogo

nuk sulmojnë,

ata vrasin!

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Valon Berisha ka bërë me…