Mësimdhënësja shtatzëne thotë se padrejtësisht iu shkëput marrëdhënia e punës

17 shkurt 2020 | 20:59

Të drejtat e punonjësve vazhdojnë të sfidohen në masë të madhe nga punëdhënësit si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Emisioni “Betimi për drejtësi”, i transmetuar në RTK ditë më parë, ka bërë një hulumtim për një rast të zvarritjes së zgjidhjes së një lënde, ku një gruaje i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës në kohën kur kishte qenë shtatzënë, përcjell “Epoka e re”.

Gruaja shtatzëne pretendon se shkëputja e marrëdhënies së punës i është bërë padrejtësisht dhe në mënyrë të kundërligjshme.

Deri më tash kanë kaluar 5 vjet dhe ajo grua nuk ka lënë guri pa lëvizur për ta kërkuar të drejtën e saj, por lënda e dërguar në gjykatë ende vazhdon të zvarritet.

Tashmë djali i saj, i cili gjendej në barkun e kësaj gruaje në kohën kur i është shkëputur marrëdhënia e punës, ka lindur dhe është bërë gati që të ulet në bankat shkollore.

Lënda e kësaj nëne për t’u kthyer në vendin e punës, ende nuk ka marrë epilog përfundimtar.

Mësimdhënësja e gjuhës shqipe, Bukurije Maksutaj, nuk ka lënë derë pa trokitur. Mësimdhënësja nga Komuna e Shtimes, ka treguar për kohën kur e ka nisur punën dhe për formën e angazhimit të saj në mësimdhënie pune, për çka thotë se kontratën e kishte nënshkruar me afat të pacaktuar.

“Unë kam punuar në shkollën fillore “Emin Duraku” dhe në shkollën e mesme “Naim Frashëri” në Shtime, në vitin 2006. Kam pushuar një vit, mandej kam aplikuar prapë në shkollën fillore “Lasgush Poradeci” në Myzeqinë. Aty kam aplikuar në vitin 2011-2012, si mësuese klase në fshatin Vojnovc dhe jam pranuar sipas konkursit. Është hapur sërish vitin e ardhshëm konkursi dhe nuk më kanë pranuar, më kanë thënë se je në listë të pritjes dhe në momentin që kemi orët do t’i japim ty. Në nëntor të po të njëjtit vit m’i kanë dhënë orët e mësimit zgjedhor në katër fshatra të Komunës së Shtimes dhe kam vazhduar deri në muajin prill të vitit të ardhshëm, ku në muajin prill ka dalë në pension një arsimtar i gjuhës shqipe dhe ato orë m’i kanë dhënë mua. Prej prillit të vitit 2011-2012, unë kam kontratë me afat të pacaktuar”, ka thënë mësimdhënësja Maksutaj.

Drejtoria e Arsimit e Shtimes, përmes një njoftimi të 24 gushtit të vitit 2015, e kishte informuar mësimdhënësen se si pasojë e reduktimit të fondit të orëve asaj do t’i ndërpritet marrëdhënia e punës. Si arsyetim i një vendimi të tillë i ishte thënë se punësimi i saj ishte bërë në rrugë të jashtëligjshme, por duke mos marrë asnjë masë për ata që kanë mundur ta shkelnin ligjin gjatë lidhjes së kontratës me të, transmeton “Betimi për drejtësi”, përcjell “Epoka e re”.

Pas këtij njoftimi, Maksutaj kishte nisur procedurën e ankesave. Ajo kishte vlerësuar se për orët e saj ishte shpallur konkurs i ri. Mësimdhënësja fillimisht kishte bërë ankesë në Komunën e Shtimes, e më pas dhe në Inspektoratin e Arsimit dhe në Inspektoratin e Punës.

Mësimdhënësja Maksutaj ka 7 vjet përvojë pune në arsim dhe është e licencuar për mësimdhënie nga MAShT-i.

Ajo ka diplomuar për gjuhësi dhe për gazetari. Tanimë ka fituar titullin Master i Shkencave Filologjike./Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka…