Messi: Doja ta mbyllja karrierën te Barça, por ishte e pamundur

07 nëntor 2023 | 18:20

Lionel Messi ka dhënë intervistë për revistën “France Football”. Ai ka treguar për suksesin e tij më të fundit, “Topin e Artë”, të tetin në karrierën e tij.

Pas kurorëzimit si lojtari më i mirë në planet, “pleshti” ka bërë një përmbledhje të karrierës së tij, Botërorin në Katar dhe raportet e tij me Barcelonën e kthimin e munguar te katalanasit. “Mund të isha kthyer te Barcelona dhe ta mbyllja karrierën atje, por nuk ndodhi. Ishte një situatë e ngjashme me atë në vitin 2021 kur u largova nga klubi. Ideja ime e parë ishte e qartë: të kthehesha në shtëpi, të kthehesha të luaja për Barcelonën dhe ta mbyllja karrierën me këtë ekip siç gjithnjë kisha ëndërruar. Por, fatkeqësisht, nuk qe e mundur”, ka deklaruar Messi. Pavarësisht prej kthimit të pamundur, argjentinasi ka deklaruar se sheh ndeshjet e Barcelonës dhe mendon pozitivisht për ekipin e drejtuar nga Xavi.

“Më duket se me ardhjen e Xavit skuadra ka bërë hapa të mëdhenj përpara, falë një gërshetimi të lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë”, ka nënvizuar ai. “Në ditët para ndeshjes kundër Holandës, ata filluan të bënin deklarata dhe të na ngacmonin pak. Kishte disa situata të çuditshme në lojë, me disa lojtarë që silleshin në një mënyrë jo të ndershme, veçanërisht gjatë penalltive. Pas asaj ndeshjeje ata donin që Argjentina të dukej si zuzari i historisë, por atë natë ndodhën shumë gjëra …”, ka theksuar Messi. Për fazën e famshme të tij “Çfarë po shikon, budalla?”, ylli argjentinas pranoi se nuk i pëlqen.

“Ishte një veprim i keq nga unë, por këto janë momente të tensionuara dhe mund të ndodhë”. Më pas finalja me Francën: “E kisha pritur gjatë atë moment. Kam luftuar për këtë ëndërr gjithë jetën time”. “Gjithmonë kam thënë që nuk mendoj për të ardhmen. Do të luaj derisa të ndiej se nuk mund të duroj më. Koha do ta tregojë. Botërori 2026? Duke ditur moshën që do të jem atëherë (39 vjeç), më duket e vështirë. Pasi të përfundojë karriera ime futbollistike do të kthehemi në Barcelonë. Është shtëpia jonë, ku kemi gjithçka”, ka përfunduar Messi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Peja në top formë në garat vendore dhe ndërkombëtare. Skuadra…