Meta tregon se çfarë bisedoi me Ramën në disa takime sekrete

11 qershor 2019 | 18:12

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zbardhur prapaskenat e marrjes se vendimit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.

Gjatë konferencës me gazetarët, Meta ka deklaruar se Lulzim Basha, kryetar i opozitës, është njoftuar për dekretin e shfuqizimit të 30 qershorit, më 8 qershor rreth orës 19:10.

Biseda telefonike me Bashën, Meta ka thënë se është e regjistruar.

“Zoti Basha këtë vendim e ka marrë vesh vetëm në orën 19:10 përmes një telefonate zyrtare, dhe për dijeninë tuaj, zoti Basha nuk e ka ditur por le ta marrë vesh tani, e cila ka qenë e regjistruar përmes sekretarisë, ku i është kërkuar të ndërpritet mitingu në çdo moment që do të ketë një manifestim dhune, natyrisht duke i bërë të ditur edhe faktin tjetër që do të bëhej publik, vendimi për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet në mënyrë që të ç’tensionohej sa më shumë manifestimi apo grupet e caktuara dhe po kështu që të përfundonte sa më shpejt ai manifestim”, ka thënë Meta.

Në lidhje me një drekë të zhvilluar me ish-kryeministrin Sali Berisha, Meta ka thënë: “Dreka me zotin Berisha nuk ishte sekret, por moment relaksi. Kolegët tuaj (gazetarët) më ftuan, nuk më ftoi zoti Berisha dhe unë pata shumë kënaqësi”.

Presidenti Meta ka pranuar se gjatë kësaj periudhe krize ka zhvilluar disa takime sekrete me kryeministrin Edi Rama.

“Kemi patur një drekë sekrete, kemi patur disa dhe më e fundit në Pallatin e Brigadave përpara 10 ditësh, ku kemi biseduar dhe ku ai e di shumë e mirë dhe e ka ditur gjithmonë sesa i shqetësuar unë jam për këtë situatë dhe për tejkalimin e saj. I takonte atij si kryeministër të kërkonte shtyrjen për një datë tjetër për zgjedhjet vendore”, ka thënë Meta.

Gjithsesi, presidenti Meta ka theksuar se nuk e kishte njoftuar Ramën më 8 qershor për vendimin për anulimin e datës së zgjedhjes, ndërkohë që ka patur një përpjekje për t’u lidhur me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Gjatë konferencës, Ilir Meta ka thënë se me vendimin për anulimin e 30 qershorit ka bërë të mundur shmangien e një konflikti civil në Shqipëri, që do të provokohej më shumë nga grupe të caktuara jashtë vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të martën…