Metanarracionet si oazë e krimit

10 mars 2023 | 08:30

ALBIN MEHMETI 

(Fakti dhe fiksioni në romanin “Nata është dita jonë” të Rexhep Qosjes)

Nata është dita jonë është romani i tretë në krijimtarinë proza­ike të Rexhep Qosjes, i botuar për herë të parë në vitin 2007. Ky roman, para së gjithash, është pasqyrim fiktiv i jetës reale njerëzore në përgjithësi dhe asaj shqiptare/kosovare në veçanti. Karakteret e romanit në vete bartin cilësitë e liga të njerëzimit. Në romanin në fjalë Qosja paraqet gjendjen e Kosovës pas luftës, atëkohë kur ishin krijuar kushtet optimale që njerëzit e ligë t’i përmbushin apetitet e tyre për para, famë dhe pushtet. Me veprimet e tyre, katërshja e krimit, Kentauri, Garipi, Demi e Zana, janë zëdhënësit dhe pasqyruesit më të mirë të së djesh­mes, ndoshta edhe të së tashmes së Kosovës dhe kosovarëve. Vetë titulli i romanit është sugjestiv ende pa filluar të lexohet romani. Për katërshen e madhe nata ishte koha e veprimit. Për ta errësira ishte drita, pasi që për ta punët e mëdha, vërtet, bëhen në terr e, pastaj, thuhet janë bërë dritë.[1] Katërshja e madhe e krimit ishte e gatshme për çdo gjë, të mashtronte e të plaçkiste, të tra­fikonte e të vriste. Nata është dita jonë është dokumenti fiksional i një historie reale që mund t’i ketë ndodhur dje, por mund t’i ndodhë edhe sot e nesër.

Në romanin Nata është dita jonë përballë nesh do të shfaqet një grup i të rinjve, të cilët kishin filluar aktivitetin e tyre kriminal për t’u pasuruar. Nën ombrellën e humanizmit e të mirës, ata morën rrugën e krimit. Nën idenë se do ta ndërtojnë një spital psikiatrik, filluan të kërkojnë fonde, të cilat i nxirrnin me dëshirë a pa të, me mashtrim a me dhunë.

Nëse te Vdekja më vjen prej syve të tillë kishim kohën e ideali­stëve, te Një dashuri dhe shtatë faje kohën e kameleonëve, atëherë te Nata është dita jonë kemi kohën e mashtruesve. Nëse në të dy romanet e para kishim diktaturën, te Nata është dita jonë kemi anarkinë. Nëse te Vdekja më vjen prej syve të tillë kishim përballjen e intelektualit me ideologjinë, te Një dashuri dhe shtatë faje kishim intelektualin karshi popullit, te Nata është dita jonë do të hasim përballjen e intelektualëve me egot e tyre.

Edhe në këtë roman, ngjashëm si në romanet paraprakë, por edhe ata vijues, Vajazani vazhdon të jetë vendi ku zhvillohen ngjarjet. Në këtë roman Vajazani veçse vërtetohet edhe më shumë se është Prishtina, ndërmjet objekteve dhe hapësirave, të tilla si Përmendorja e Bashkim-Vëllazërimit afër Kuvendit të Vaja­zanit, shtatorja e Nënë Terezës, Teatri ODA, por edhe gazeta Rilindja dhe një varg elementesh të tjera, qoftë me ngjarje a personalitete që e bëjnë të kuptueshme që ndërlidhen me krye­qytetin e Kosovës.

Vendet postkonfliktuale e postdiktatoriale dhe krimi

Zakonisht në vendet të cilat sapo ka përfunduar konflikti apo diktatura ndodhin ndryshime të mëdha. Çdo gjë që ishte e vjetër dhe është si relikt i sistemit të kaluar do të shkatërrohet. Njëjtë do të ndodhë edhe në Vajazan, i cili sapo kishte kaluar luftën, por edhe diktaturën njëkohësisht. Edhe Vajazani, si çdo vend tjetër që del nga lufta a diktatura, do të mundohet që ta lë prapa të kaluarën apo edhe të shkatërrojë çdo gjë që i kujtonte dhimbjen. Fat të tillë pati përmendorja e Vuk Stefanoviq Kara­xhiqit para Fakultetit të Gjuhëve dhe të Letërsive. Pas përfundi­mit të luftës në Kosovë, thuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, para çdo institucioni kishte përmendore dhe shtatore serbe a komuniste, të cilat më pas u demoluan dhe u shkatërruan, dhe një pjesë e madhe e tyre u zëvendësua me përmendore dhe shtatore të reja të luftëtarëve shqiptarë të të gjitha periudhave dhe sidomos të luftës së fundit.

Paslufta, ndër të tjera, solli edhe amulli të madhe në popull. U paraqitën fenomene që shoqëria konservatore kosovare s’i ka menduar asnjëherë që do të vijnë në gji të saj. Mungesa e ligjeve, por edhe ligji në dorë të Maliqit, bëri që të lulëzojë krimi dhe mos të ketë kush t’i dalë para. Një fenomen i rëndë, ai i prostitu­cionit, paraqitet në rrëfimin fiksional të historisë së Almës dhe Zojës. Alma dhe Zoja janë prototipa të shumë vajzave kosovare që ranë në grackën e trafikuesve që shfrytëzuan situatën e paqëndrueshme ligjore dhe politike. Pra, ngjarja fiksionale në Vajazan është e vërteta që ka ndodhur në Kosovë pas përfundi­mit të luftës. Sipas një raporti të publikuar së fundmi, theksohet se regjistrimi i trafikimit njerëzor në përgjithësi ka filluar tek pas luftës së vitit 1999. Në mes atmosferës së rindërtimit dhe themelimit të agjencive të OKB-së dhe misioneve ndërkombëtare, ky problem krimi­nal global menjëherë u bë problem serioz në muajt dhe vitet pas ndërprerjes së luftimeve.[2] Te Nata është dita jonë, si klientë të Almës dhe të Zojës janë të huajt që gjithmonë duhet të nënkuptohen si përfaqësuesit e misioneve të huaja në Kosovë qoftë nga Kombet e Bashkuara, NATO apo edhe organizatat e tjera me misione të ditura e të fshehta. Pasi katërshja e krimit i trafikoi dy vajzat tek të huajt, Garipi u kthye dhe tha se italianët nuk janë si ne dhe turqit. Ata i duan të hollat.[3] Sipas raportit të njëjtë theksohet se rritja e numrit të vajzave të trafikuara për qëllime prostitucioni është prania e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, ku ka dyshime që kishte prostitucion afër qendrave e lokacioneve ku ishin kampet e KFOR-it dhe të UNMIK-ut.

Siç theksuam edhe më lart, paslufta ka edhe mungesën e një sistemi të mirëfilltë ligjor. Kjo bëri që të ketë kriminelë dhe dhunë në të gjitha anët. Teksa përshkruanin Vajazanin e sapodalë nga lufta, Qosja e përshkruan se janë tre: një Idiot, një Zift dhe një Belban që mendojnë se s’ka kush çka iu bën. Janë tre- e përbashkëta e Dhunës, Idiotësisë dhe Mjerimit që e sundon Vajazanin.[4] Pra, tani, Vajazanin e pasluftës që gjithmonë duhet ta kuptojnë si Prish­tinën, dominojnë njerëz që veprojnë me logjikën e shkopit, ku e drejta është vetëm në anën e tyre dhe s’ka ligj dhe forcë që do të mund t’i mposhtë ata. Qosja qëllimshëm i shkruan dhunën, idiotësinë dhe mjerimin me shkronja të mëdha për të treguar se ka të bëjë me emra të përveçëm që u dihet adresa, qofshin ata shqiptarë a të huaj, mbase mund të jenë tre të parët, të cilët janë vetë ligji dhe forca.

Në një shoqëri në tranzicion, që sapo ka dalë nga lufta, feno­meni më i përhapur është ai i korrupsionit dhe i nepotizmit. Katërshja e madhe e krimit në Vajazan, Kentauri, Garipi, Demi e Zana, përmes dhuratave që ua dhurojnë zyrtarëve të lartë, qofshin ata vendës a të huaj, i japin vetvetes favore edhe para ligjit. Përmes këtyre dhuratave ata i bëjnë për vete zyrtarët e lartë që nga shoferët e ministrave e deri tek akademikët, por edhe pushtetarët e huaj që në Vajazan kishin ardhur për të sigu­ruar paqen dhe ligjin. Dhurimi i dhuratave ishte shpëtim për ta, pasi vetë Kentauri thoshte se nuk ecën qerrja pa e lyer. Perso­nazhet fiktive, si këshilltarët e gratë e pushtetarëve të Vajazanit, akademikët dhe shkrimtarët servilë të këtyre të fundit si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, janë personazhe të përditshme­risë së Kosovës. Sipas një raporti të Freedom House të vitit 2005, Kosova gjendej në vendin e parë për shkallën e korrup­sionit në Evropën Juglindore. Por, korrupsioni, përveç që është problem politik real, është edhe problem psikologjik real i njerë­zve. Kjo, në fakt, paraqet dëshirën e madhe që individët kanë për të përvetësuar pasuri paligjshëm duke dëmtuar tjetrin si individ, por edhe shtetin si institucion. Kjo pangopësi bën që ky individ a grup të vijë edhe në konflikt me ligjin, duke kryer veprime kriminale.[5]

Përdorimi i figurave dhe temave madhore

Një dukuri shqetësuese dhe mjaft e shpeshtë në gjithë botën, por në Ballkan në veçanti, është edhe thirrja në tema të mëdha, qofshin ato kodifikime etike fetare, apo thirrje në emër të nacio­nalizmit. Në emër të tyre njerëzit ndërtojnë karrierë e gllabë­rojnë pasuri shtetërore. Në Vajazanin fiktiv të Qosjes të tillë ka me bollëk.

Katërshja e madhe e krimit të Vajazanit, sapo ta përfundojnë një krim, do të fishkëllejnë melodinë Se ç’janë mbush malet me borë…!. Kjo paraqet shumë njerëz të mveshur me ideale të mëdha, qofshin ato nacionale, politike, internacionale, fetare e çfarëdo lloj ideologjie tjetër kanë bërë, bëjnë dhe do të vazhdojnë të bëjnë krime. Këta njerëz vrasin, plaçkitin, dhunojnë e bëjnë krime që mendja e njeriut s’e imagjinon, por nuk ka guxim kush t’u thotë se kanë bërë diçka të keqe, për arsye se të parët krijojnë autoritetin e shenjtërorit te populli, dhe në sytë e tyre ata janë shpëtimtarët e kauzave të mëdha, dhe askush nuk ka guximin t’i cenojë ato. Këta njerëz nuk ka kush t’i prekë, pasi ata mbrojtës kanë kombin, që Qosja përmes narratorit të tij thekson se kombi është bërë strehimorja e shumë horrave të djeshëm e të sotëm.[6] Thirrja e tyre në komb e patriotizëm është false. Në organizimin e 28 Nëntorit, nën tingujt e këngëve patriotike dhe veshjeve kuqezi, do të dëgjosh edhe biseda të tilla si mund të ndihmoj, natyrisht që malli që sjell ti të kalohet nëpër doganë pa u doganuar, së paku, duke u doganuar vetëm një e katërta e tij.[7]

Në romanin Nata është dita jonë kemi njerëz fiktivë të tillë si katërshja e madhe e krimit që pas çdo të lige që bëjnë këndojnë këngë patriotike, madje edhe vetë krimin e tyre të madh e nisin për një vepër patriotike, atë të ndërtimit të një spitali.

Në romanin Nata është dita jonë kemi personazhe fiktive që veshën kuqezi, por që mendojnë sesi ta dëmtojnë shtetin në mënyrë që të përfitojnë për vetvete.

Në romanin Nata është dita jonë kemi personazhe fiktive që, në të vërtetë, prapa tyre fshehën shumë e shumë personalitete reale që përfituan, përfitojnë dhe vazhdojnë të përfitojnë nën petkun e një të kaluare, apo edhe në petkun e një pozicioni që ata e bartin mbi supe.

Ndërrimi i pushtetit, hakmarrja dhe servilizmi

Ndërrimi i pushteteve, përveç që sjell ndryshim të rendit ligjor, kushtetues e ideologjik, bart edhe probleme të reja, ndeshjen e të rinjve me të vjetrit, dhe sidomos gjykimin e krimeve, të cilat kanë ndodhur në sistemin e kaluar. Te romani Nata është dita jonë, që paraqet pikërisht këtë periudhë, ka ndeshje të të resë me të vjetrën. Personazhet do të jetojnë mes kujtimit të së kaluarës dhe jetës në të tashmen. Budin Buda, narratori i romanit, do të kthehet përsëri në gjurmët e të kaluarës që, në fakt, del të jetë edhe e tashme, fare pak e ndryshuar, të cilën e paraqet përmes stacionit policor, përkatësisht Dhomës së Hetuesisë, të cilin kryepersonazhi i romanit Vdekja më vjen prej syve të tillë, Xhezairi i Gjikës, e quante Kështjella magjike. Fatin që të rikthehej në këtë dhomë hetuesie e pati edhe Budini, kryepersonazhi i Nata është dita jonë por, për dallim nga Xhezairi që në atë kohë akuzohej për veprimtari patriotike në vendin e tij të robëruar, Budini do të akuzohet për veprimtari kriminale në vendin e tij të lirë. Për Kentaurin që edhe më parë ishte në këto dhoma, gjërat kanë ndryshuar me të madhe, pasi që fotografitë e vjetra më nuk janë aty, madje kanë ndryshuar edhe shkopinjtë e gomës për kah madhësia e pamja, por jo nga dhembja që shkaktojnë. Për Ken­taurin dhembja është dhembje: masën nuk ia caktojnë as ngjyra, as prejardhja etnike, as hapësira gjeografike, as feja, as ideologjia, po interesi i atyre që mbajnë pushtetin.[8] Këtu Qosja tregon edhe një element të vërtetë brenda këtij tregimi fiksional. Pas përfundi­mit të luftës, të gjitha kazermat, stacionet policore dhe objektet e tjera shtetërore të ish-Jugosllavisë kanë kaluar në pronësi të UNMIK-ut, KFOR-it dhe TMK-së.

Përfundimi i luftës e ka rrezikun edhe të hakmarrjes së një pjese të popullsisë ndaj shtresës dhe individëve të tjerë të të njëjtës etni, të cilët ushtruan dhunë sistematike ndaj tyre në regjimin paraprak. Garipit, dikur, një agjent i Shërbimit Infor­mativ Jugosllav, ia kishte torturuar keqas babanë e tij, vetëm pse ai nuk kishte pranuar të ishte bashkëpunëtor i tyre. Tani Garipi kishte zënë djalin e ish-agjentit dhe po ia bënte të njëjtat tortura që dikur ia kishin shkaktuar babait të tij dhe ai iu drejtua tashmë të torturuarit të tij se nuk është duke bërë asgjë më shumë se ç’i ka bërë babai yt babait tim në vitin 1983.[9] Nuk janë të rralla rastet, në Kosovën e pasluftës, u vranë dhe u torturuan njerëz pasi që dikur kishin punuar në agjenci shtetërore të Jugo­sllavisë. Kjo mbase është në çdo vend të botës, ku tanimë nuk luftojnë njerëzit, por mes vete luftojnë ideologjitë etnike, reli­gjioze, madje edhe politike.

Nata është dita jonë është njohje e mentalitetit shqiptar në përgjithësi dhe atij kosovar në veçanti. Në këtë roman kemi dorë­zimin e individëve para egove personale. Ky roman, edhe pse i ndërtuar nga histori fiksionale, është histori e vërtetë. Te Nata është dita jonë kemi personazhe fiktive e reale. Në të është histo­ria e njerëzve që ishin dje dhe shënuan historinë dhe atyre që janë sot në zgrip të lavdisë dhe marrëzisë. Në këtë roman është fiksioni letrar që flet më shumë sesa shumë libra historie, pasi në të është brumosur karakteri ynë.

Marrë nga numri 14 i revistës “Akademia”

[1] Rexhep Qosja, Nata është dita jonë, Toena, Tiranë, 2007, f. 152.

[2] https://kosovotwopointzero.com/kosovos-battle-with-human-trafficking/ (shikuar  më 17.04.2020, ora: 13:30)

[3] Rexhep Qosja, Nata është dita jonë, Toena, Tiranë, 2007, f. 161.

[4] Rexhep Qosja, Nata është dita jonë, f. 42.

[5] Ragip Halili, Kriminologjia, AAB-Riinvest, Prishtinë, 2005, f. 357.

[6] Rexhep Qosja, Nata është dita jonë, f. 179.

[7] Po aty f. 378.

[8] Po aty f. 99.

[9] Po aty f. 259.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
VJOLLCA DIBRA  Identiteti  Duket sikur jemi mësuar që në mënyrë…