Mevlan Zeka largohet nga Feronikeli

31 korrik 2020 | 23:30

Sulmuesi gjakovar Mevlan Zeka dhe Feronikeli tashmë kanë ndarë rrugët edhe zyrtarisht.

Është futbollisti nga Gjakova, i cili përmes një publikimi në llogarinë e tij ka konfirmuar se ka mbyllur marrëdhënien me klubin nga Drenasi, teksa ka falënderuar drejtuesit e klubit dhe stafin teknik.

Zeka, i cili fitoi gjithçka që mund të fitohet me Feronikelin edicionin e shkuar, ishte njëri ndër futbollistët më të dalluar të këtij ekipi.

Tetë gola dhe dy asistime në 16 ndeshje të zhvilluara këtë edicion, teksa tashmë njofton se edhe zyrtarisht i erdhi fundi kësaj aventure.

“Përshëndetje miq,shokë,dhe futbolldashës. Duke parë që gjithmonë më uroni dhe më përkrahni,unë ndiej respekt ndaj jush, dhe dua të ju informoj se që nga data 1 gusht nuk do të jem pjesë e klubit futbollistik Feronikeli”.

“I falënderoj bashklojtarët me te cilët kaluam në shumë sfida së bashku dhe me një atmosferë të jashtëzakonshme ,i falënderoj tifozët Tigrat e Zi, trajnerët, ndihmës trajnerët, kryesin, presidentin Naser Ramaj ,ekonomët, qytetaret e Drenasit si dhe gjithë dashamirët e klubit”.

“Jam shumë i lumtur që me KF Feronikelin fituam gjithçka çka fitohet në futbollin kosovar. Të gjithë titujt e mundshëm,gjithashtu duke hyrë në historinë e klubit,dhe në garat evropiane në Champions League dhe Europa League,me paraqitje të shkëlqyeshme si personalisht ashtu edhe kolektivisht”.

“Ju dëshiroj shëndet dhe suksese në të ardhmen gjithë pjesëtarëve te KF Feronikelit. Me respekt, Mevlan Zeka”, shkroi sulmuesi gjakovar në llogarinë e tij në Facebook, shkruan Telegrafi.

Zeka njihet si njëri nga sulmuesit më të mirë në futbollin kosovar dhe sigurisht që ai tani është vërshuar nga ofertat dhe gjatë ditëve në vijim pritet të vendosë për skuadrën e tij të re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizjet në Prishtinë ishin më të vogla në orën 23:00…