
Mezani: Gjilani synon pjesëmarrjen në Kupat e Evropës
Gentian Mezani është rikthyer në stolin e Gjilanit pas pesë javëve mungesë. Tekniku shqiptar në kohën sa mungoi u zëvendësua me mjaftë sukses nga Sallah Sherifi i cili arriti rezultate fasionuese.
Tashmë Gjilani gjendet shumë afër dy skuadrave lidere, Dritës dhe Ballkanit. Trajneri i “Skifterave” është prononcuar për mediumin shqiptar “PanoramaSport”, ku ka treguar për objektivat e skuadrës dhe ecurinë e kampionatit.
“Të them të drejtën, shpresoja të shkonim akoma më mirë, por dëmtimet e shumta në repartin e sulmit na kanë krijuar shumë probleme. Gjithsesi, e përgjithshmja është pozitive dhe shpresojmë që të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje”, ka thënë Mezani.
“Objektivat pa diskutim që janë Kupat e Evropës, por sipas gjendjes së renditjes ne do të kërkojmë edhe diçka më shumë”, ka shtuar trajneri. Gjilani luan në vikend një ndeshje interesante që e përballë kundër Drenicës.