Miami arrin fitore në frymën e fundit

19 prill 2021 | 12:56

Në NBA u zhvilluan tetë takime në mbrëmjen e radhës, ku nuk munguan emocionet që ofron kampionati më spektakolar i basketbollit në planet. Fitore në frymën e fundit për Miami Heat, që pas tri humbjeve radhazi triumfuan 109-107 ndaj Brooklyn Nets.

Vendimtar me koshin e fundit, para rënies së sirenës, Bam Adebayo, që rezultoi gjithashtu shënuesi më i mirë për të zotët e shtëpisë me 21 pikë, pa harruar dhe 11 “rebound”. Netsat ishin të detyruar të hiqnin dorë nga shërbimet e Kevin Durant pas vetëm katër minutave lojë, për shkak të një dëmtimi në kofshë. Sigurojnë fitoren e gjashtë radhazi New York Knicks, që iu imponuan me rezultatin 122-112 New Orleans Pelicans. Protagonist i takimit i zakonshmi Julius Randle, këtë herë me 33 pikë dhe 10 asistime, megjithatë nuk duhet anashkaluar ndihma e vyer që dha me 23 pikë Derrick Rose.

Ndërkohë për Pelicans nuk mjaftuan 34 pikët e Zion Williamson. Humbje e shëmtuar e Dallas Mavericks, që u dorëzuan përballë Sacramento Kings me rezultatin 107-121. Kalifornianët, të cilët shkonin në këtë përballje pas një serie negative prej 9 humbjesh radhazi, u udhëhoqën nga De’Aaron Fox, autor i 30 pikëve dhe 12 “rebound”, duke zhvlerësuar paraqitjen Luka Donqiqit, që e mbylli përballjen me plot 37 pikë. Gjithçka e lehtë për Los Angeles Clippers, që mposhtën Minnesota Timberwolves 124-105. Për kalifornianët më i miri mbi parket rezultoi Paul George me 23 pikë, të njëjtën kuotë pikësh realizoi nga ana tjetër edhe Edwards, por që shërbyen vetëm për statistikë.

Toronto Raptors koleksionuan fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur Oklahoma City Thunder 112-106. Pavarësisht mungesave të shumta, kanadezët morën një sukses tjetër të rëndësishëm falë një super Chris Boucher, që realizoi “double-double”: 31 pikë dhe 11 “rebound”, ndërsa 29 pikët e Luguentz Dort nuk mundën ta shmangin humbjen e 10-të radhazi të Thunder. /Supersport/

Rezultatet

Atlanta – Indiana                     129-117
New York – New Orleans       122-112
Miami – Brooklyn                    109-107
Charlotte – Portland                109-101
Orlando – Houston                  110-114
Toronto – Oklahoma               112-106
Dallas – Sacramento                107-121
LA Clippers – Minnesota         124-105

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e lajmeve MIA njofton se nga burime të veta…