Milani me ofertë të re për Xhakën

24 qershor 2025 | 12:23

AC Milan është shumë i interesuar për ta transferuar Granit Xhakën. Kuqezinjtë  thuhet se kanë arritur marrëveshje personale me futbollistin për një kontratë trevjeçare me rrogë vjetore prej 4 milionë eurosh.

Mirëpo, Kuqezinjtë nuk po arrijnë ta bindin ende Bayer Leverkusenin që ta shesë liderin e tij. Trajneri Erik Ten Hag e konsideron përfaqësuesin zviceran si pjesë të rëndësishme të projektit të tij. Por, vetë futbollisti po ju bën presion drejtuesve të klubit që ta lënë të lirë për t’u transferuar në qytetin e modës.

Mediat italiane raportuan javën e kaluar se drejtori i ri sportiv i gjigantit italian, Igli Tare, ia ka bërë një ofertë prej 10 milionë eurosh klubit gjerman, i cili megjithatë nuk është bindur mjaftueshëm pasi synon t’i fitojë së paku 15 milionë euro nga shitja e kartonit të Xhakës.

E tash, “sempremilan” shkruan se shtatë herë kampionët e Evropë në këtë javë do t’ua paraqesin “Farmaceutikëve” ofertën e dytë, e cila sigurisht se do të jetë e përmirësuar, me shpresën që gjermanët do të thonë “po” pasi do t’i afrohet kërkesës së tyre.

Tek Milani besojnë se marrëveshja do të finalizohet në këtë javë, ndonëse gjithçka varet prej Leverkusenit, me të cilin ylli kosovar ka kontratë deri në vitin 2028. Në sezonin e fundit, 32-vjeçari i ka zhvilluar 49 ndeshje në të gjitha garat duke i realizuar ndërkohë 2 gola dhe duke i bërë 7 asistime.

Në përgjithësi, ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit i ka zhvilluar 99 ndeshje me Leverkusenin, ndërsa e fitoi titullin historik të kampionit në Bundesligë në sezonin e kaluar, krahas Kupës dhe Superkupës së Gjermanisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka thënë të martën…