Mimoza Kusari pas 15 viteve rikthehet në krye të Ministrisë së Tregtisë
Sot zyrtarisht Mimoza Kusari ka pranuar detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Rozeta Hajdari.
Ajo ka bërë me dije se pas 15 viteve rikthehet në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit.
“E bindur se me përkushtim, energji dhe vizion do të vazhdojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve “Made in Kosova”, si dhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar. Incentivizimi i bizneseve për të punuar me politka miqësore mjedisore, duke promovuar ekonominë qarkore, do të kenë fokusin tim të veçantë. Vendi ynë pasurinë më të çmuar i ka të rejat dhe të rinjtë, të cilët me kreativitetin dhe talentin e tyre kanë zhvilluar dhe rritur sektorin e inovacionit – sektor që tashmë është pjesë e këtij dikasteri. Dialogu publiko-privat dhe sinergjia e krijuar përmes ndërlidhjes dhe koordinimit të të gjithë sektorëve do të sjellin vlerë të shtuar për ekonominë e vendit. E lumtur të jem pjesë e zhvillimit dhe suksesit të shtetit tonë”, ka shkruar Kusari në Facebook.



